Kulturë

“Bordel Balkan” prek një realitet të hidhur ballkanik

Jo rëndom ndodh që në një premierë shfaqjeje të jenë të pranishëm policët e Kosovës për të vëzhguar situatën.

Por, kjo ndodhi në premierën e shfaqjes “Bordel Ballkan” të autorit Jeton Neziraj.

Kjo për shkak të paralajmërimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se do të vinin për të parë shfaqjen dhe se do ta pengonin në momentin që do ta shihnin të nevojshme. OVL e UÇK-së kishin blerë 15 bileta për ta ndjekur shfaqjen.

Për këtë arsye, masat ishin ndërmarrë dhe policët e Kosovës përcillnin me vëmendje situatën, gjersa nuk munguan as policët civilë.

Gjithsesi, premiera kaloi pa ndonjë incident dhe autori i shfaqjes deklaroi se nuk i ka parë të kenë qenë të pranishëm personat, me të cilët është përballur gjatë këtyre ditëve.

Ndërsa, aktorët që luajnë në shfaqje pohuan se kërcënimet e ditëve të fundit vetëm sa u kanë dhënë guxim më tepër për të punuar dhe për të çuar në vend misionin që u takon.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte paralajmëruar një ditë para premierës se do ta pengonte shfaqjen dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve që të mos merrnin pjesë, meqë sipas tyre, shfaqja ka përmbajtje denigruese për luftën e UÇK-së. Madje, autori i shfaqjes, Jeton Neziraj, e kishte raportuar rastin në Policinë e Kosovës si kanosje, pasi siç kishte deklaruar, ishte kërcënuar me jetë. Sipas të pranishmëve në premierë, kërcënime të këtilla nuk kanë vend në skenën artistike.

Sipas Nezirajt, “Bordel Balkan” është shfaqje e cila flet për një lloj çoroditjeje të shoqërive të Ballkanit pas luftës, ku traumat e saj kanë krijuar një lloj ‘çarjeje’ brenda personalitetit të njerëzve dhe brenda shoqërisë dhe një përpjekje për të dalë nga kjo traumë dhe për të shikuar kah e ardhmja.

Në shfaqjen me regji të Andras Urban luajnë: Astrit Kabashi, Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e të tjerë.

Aktorët e cilësuan këtë një shfaqje të guximshme.

përmban shprehje dhe pamje eksplicite, andaj nuk preferohet për personat nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Në dy momente të saj, ndaras, aktorja May-Linda Kosumovic dhe aktori Armend Baloku paraqiten të zhveshur.

Sipas regjisorit Hysaj, këto lloj shfaqjeje nuk është dashur të jenë problem për shikuesin tonë.

Ekipi i kësaj shfaqjeje është i bindur se ajo do ketë jetëgjatësi.