Kronikë

Vritet edhe një qytetar i Kosovës në Siri – i akuzuar në rastin e “Badovcit”

Ndërsa dje u raportua se në Siri u vra Kastriot Ademi, sot, Policia e Kosovës ka njoftuar se është vrarë po në këtë vend edhe Betim Ibrahimaj.

Ibrahimaj, që mësohet se ishte nga Komuna e Istogut, sipas Radios Evropa e Lirë, ishte i akuzuar në rastin e njohur si “Liqeni i Badovcit”, por që kishte arritur të arratisej nga Kosova.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për Koha.net se policia, nga burime të ndryshme, ka marrë informacione për vdekjen e këtij personi”.

“Mirëpo, duke iu referuar situatës në zonat e konfliktit, nuk posedohet dokumentacioni apo informacioni zyrtar për vrasjen e tij”, ka thënë Hoxha.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak aktualisht gjenden 60 persona.

Po ashtu është raportuar se në këtë vend janë edhe 40 gra dhe 50 fëmijë.

Deri më tash në Siri kanë vdekur apo janë vrarë, 76 shtetas të Kosovës.