Arrestohet në Malmo Sabit Pacolli, i dyshuar për mashtrim

Arrestohet në Malmo Sabit Pacolli, i dyshuar për mashtrim

03 dhjetor 2017 14:31

Gjykata e Qarkut në Malmo, Suedi, ka arrestuar Sabit Pacollin për mashtrim të madh më 2015 dhe 2017. Ai u arrestua të enjten e javës që po lëmë pas derisa po shkonte në një takim në Agjencinë Suedeze të Tatimit, raporton "Sydsvenskan".

“Desha të sigurohem që hetimi ynë preliminar të përfundojë para hetimit të Agjencisë Suedeze të Tatimit”, ka thënë prokurori Bo Birgerson, transmeton Koha.net.

Në orën 11:00 të së dielës ka nisur seanca dëgjimore. Një orë e gjysmë më vonë, Gjykata e Qarkut lëshoi urdhrin e arrestit.

Sipas Birgerson, arrestimi i tij erdhi si pasojë e dyshimeve të besueshme për keqpërdorim të parave.

Edhe gjykata e qarkut dha vlerësim të njëjtë: ekzistonte rreziku se Pacolli do të shkatërronte hetimin nëse do të lirohej dhe ekzistonte rreziku se ai do të ikte me aeroplan.

Leif Ljungholm, prokuror publik mbrojtës i Pacollit, thotë se klienti i tij i mohon akuzat.

Sabit Pacolli, biznesmen dhe ish-zyrtar i Aleancës Kosova e Re, muajin e kaluar kishte mohuar akuzat e gazetës suedeze “Sydsvenskan” se ka vjedhur mbi 200.000 euro nga kompania HSB, ku ka qenë edhe kryetar i kësaj shoqate për pronësi banesash, me diku rreth 750 apartamente. Shoqatat e tilla kanë kryesi të zgjedhur nga pronarët e apartamenteve. Kryesitë quhen persona juridikë dhe lidhin kontrata financiare me banka e ndërmarrje për rinovime të fondit banesor, etj.

Sabit Pacolli pandehet se bashkë me dhëndrin e tij Astrit Bërdynën kanë marrë kryesinë e një shoqate të tillë në Malmo, të cilën pastaj e kanë zhvatur. Ata pandehen se kanë inkasuar kredi prej 15 milionë eurosh nga bankat suedeze për riparime banesash që më pas nuk janë realizuar.

Gazetarët suedezë pohojnë se dyshohet që Pacolli me këto para të vjedhura ka ndërtuar një vilë vetjake, si dhe një fabrikë pijesh të frutave, në Kosovë. Aty përmendin dhe emrin e Behgjet Pacollit, për të cilin aludojnë se mund të ketë ndihmuar familjarin.

Titulli i artikullit është, “Shoqata e banimit u grabit - kreu i shoqatës ndërton fabrikë pijesh e vilë në Kosovë”. Artikulli thekson se Sabit Pacolli ka pritur Behgjet Pacollin gjatë vizitës së këtij të fundit në Suedi.

Poashtu, artikulli e përshkruan gjendjen e ankthit në të cilën jetojnë tani banorët e apartamenteve të shoqatës së zhvatur në Malmo. Bëhet fjalë për qindra familje në një lagje migrantësh e refugjatësh, të cilët papritur bëhen detyrues kolektivë ligjorë për borxhe të shoqatës, citon Albeu një shkrim të mëhershëm të gazetës suedeze.

Bankat kanë ndërprerë çdo bashkëpunim me ta, gjersa shoqata të shlyejë borxhet milionëshe. Dhe ata nuk munden as të shesin apartamentet e veta, pasi bankat paralajmërojnë çdo blerës eventual për gjendjen.

Sikur të mos mjaftonte kjo, banorëve të shoqatës u janë djegur edhe makinat në parkingje të shoqatës, nga molotovë të hedhur pas zbulimit të aferës.

Sipas hulumtimit që gazeta pretendon ta ketë kryer, kjo grabitje e Pacollit kap vlerën e dy milionë krunave, ose mbi 200.000 euro.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme