Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Parandalohet trafikimi i 105 kg marihuanë afër kufirit të Maqedonisë

Policia Kufitare e Shqipërisë parandalon dhe godet një tentativë për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Autorët që udhëtonin dy me motoçikletë dhe dy me automjet nuk iu bindën urdhrit të Policisë Kufitare për të ndaluar por janë larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë Kufitare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjatë ikjes me shpejtësi, dy shtetasit që udhëtonin me motoçikletë dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër”, thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare, raporton Koha.net.

Policia Kufitare është vënë në ndjekje të tyre ku ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e dy shtetasve së bashku me automjetin e tyre të fshehur në një rrugë dytësore.

Gjatë kontrollit të zonës përreth ku ishin fshehur autorët, Policia gjeti dhe sekuestroi katër thasë të mbushur me pako me lëndë narkotike marihuanë me peshë rreth 105 kilogramë.

Ndërkohë vijon kontrolli i zonës për gjetjen e motoçikletës dhe kapjen e dy personave që qarkullonin me të.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe Specialistët për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Narkotikët, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ridjan Miftari, 26 vjeç, banues në Gjoricë-Bulqizë, (drejtues i automjetit me të cilin transportohej lënda narkotike) dhe B. I., 17 vjeç, banues në Zall-Strikçan, Zerqan (pasagjer në automjetin që transportohej lënda narkotike).

Gjithashtu po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve A.XH, dhe B.O, ku vijon puna për kapjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 105 kg lëndë narkotike marihuanë, automjeti tip “Fiat”, si dhe dy telefona celularë.

Ndërkohë në vendngjarje vijon puna për gjetjen e gëzhojave si dhe të armës së zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër në ikje e sipër pasagjeri që qarkullonte me motoçikletë.

Specialistët për Narkotikët në D.V.P. Dibër po bashkëpunojnë me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a e 25 të Kodit Penal.