Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas të huaj, nën dyshimin se ai tërhiqte para kundërligjshëm nga bankomatët.
Policia ka njoftuar se ka sekuestruar 27 kartela të ndryshme bankare, që dyshohet se janë të klonuara.
Po ashtu janë sekuestruar një telefon celular, 1200 euro dhe 387 funte.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Më datë 03.09.2022, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, është njoftuar nga njësiti patrullues i stacionit policor Jugu në Prishtinë, lidhur me ndalimin e një personi të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare. Dyshohet se i njëjti me kartela të klonuara ka tentuar ose ka tërhequr para nga bankomatët e bankave të ndryshme në Kosovë. Në cilësi të provave dëshmive materiale janë sekuestruar: një telefon celular; një SIM kartel; para të gatshme 1200 euro; rreth 387.02 funte angleze; 27 kartela të ndryshme bankare, të dyshuara të klonuara. Sipas detyrës zyrtare gjatë gjithë procesit ka qenë prezent avokati mbrojtës. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’. Me vendim të Prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe sipas rekomandimeve do të ndërmerren veprimet e mëtejme sipas proceduarve ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.