Arbëri

Bllokohet për vetura rruga ‘Dardania’, frustrohen banorët pasi thonë se s’pati ndonjë paralajmërim

Komuna e Fushë Kosovës, të hënën (31 korrik, 2017), në ueb-faqen e saj ka publikuar një njoftim përmes së cilit thotë se rruga “Dardania” do të kthehet në shëtitore nga data 1 gusht, 2017.

Kjo gjë ka frustruar qytetarët të cilët sot nuk patën mundësi t’u qaseshin banesave të tyre me vetura pas orës 20:00.

Ata thonë se Komuna nuk i ka njoftuar banorët me kohë për këto ndalesa, ndonëse e mirëpresin një iniciativë të tillë.

Image

“Erdha nga puna dhe tentova të hyjë në rrugën ku banoj, si zakonisht, por polici më tha se hyrja në rrugën ‘Dardania’, gjegjësisht nga shkolla “Mihal Grameno” e deri në fund të rrugës, nga ora 20:00 deri në orën 23:00 është e bllokuar për vetura. Kjo nuk është në rregull sepse është dashur që së pari të na njoftojnë ne banorëve për një iniciativë të tillë pasi që unë tash nuk mund ta fus veturën në garazh. Po ta lë në ndonjë vend kur nuk lejohet parkimi, Policia e konfiskon pa asnjë problem”, ka thënë për Koha.net Samiu, banues i kësaj lagjeje.

Ai thotë se ndoshta edhe ka pasur ndonjë njoftim, por që “nuk më ka rënë në sy e as në vesh”, ndërsa thekson se e përkrah këtë iniciativë duke qenë se kjo rrugë është shumë e ngarkuar nga veturat.

Të njëjtën ankesë e patën edhe banorë tjerë të cilëve u ishte pamundësuar qasja nëpër parkingjet e banesave të tyre.

Komuna e Fushë Kosovës, ditën e djeshme, në ueb-faqen e saj zyrtare, kishte publikuar njoftimin se më datë 01.08.2017, nga ora 20:00 në mbrëmje, deri në orën 23:00 do të nis së zbatuari projekti për mbylljen e pjesshme për trafik të rrugës ‘Dardania’, nga Rruga “Pajazit Islami” (tek Çerdhja e qytetit), deri tek rruga “Hajrullah Zymi” (shkolla “Mihal Grameno”).

“Qytetarët e kësaj pjese të qytetit e kanë bërë këtë kërkesë qysh moti që kjo pjesë e rrugës të mbyllet për trafik, në mënyrë që në orët e vona të mbrëmjes të kenë hapësirë të mjaftueshme dhe të sigurt për t’u shëtitur, për të bërë tregti dhe për t’u relaksuar. Komuna ka vendosur që këtë kërkesë të këtyre banorëve ta realizojë, andaj kërkohet edhe ndihma e qytetarëve për vendosjen e këtij rendi të ri në trafik pasi që është hera e parë që komuna po eksperimenton një gjë të tillë dhe se mund të ketë të panjohura eventuale gjatë realizimit të këtij projekti”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Image

Këtë projekt, Komuna tha se synon ta realizojë në tërësi “duke e shndërruar në shëtitore të bukur dhe funksionale, pas përfundimit të ndërtimeve të cilat janë duke u zhvilluar për momentin”.

Zyrtarët komunalë u kanë bërë lutje të gjithë ngasësve të automjeteve që të respektojnë shenjat e trafikut që do të vendosen e të cilat orientojnë trafikun nëpër qytet, gjegjësisht në këtë pjesë të qytetit.

“Për çdo të panjohur do të jenë në shërbim Policia e Kosovës dhe organet e komunës”, ka përfunduar njoftimi i Komunës së Fushë Kosovës.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Komunës, Ali Topalli, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.