Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Mitrovicë u përkujtuan dëshmorët e Kombit

Me vendosjen e buqetave me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Shipol, në Mitrovicë kanë filluar aktivitetet për shënimin e 6 Qershorit-Ditës së Dëshmorëve të komunës së Mitrovicës, që janë mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtorët e drejtorive komunale, si dhe zyrtarë tjerë komunal, pasi ka vendos buqetën me lule të freskëta, ka nderuar të gjithë dëshmorët dhe familjarët e tyre që gjendeshin pranë varrezave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bahtiri me këtë rast tha se dëshmorët e Kombit janë lavdia dhe krenaria e popullit, andaj ata duhet të nderohen e respektohen nga të gjithë.

Ndërsa, në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, është mbajtur aktiviteti kryesor, ku fjalën e rastit e mbajti nënkryetari i komunës, Faruk Mujka.

Ai fillimisht tha se shënimi i Gjashtë qershorit-Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës, është një rast i mirë, që përveç përkujtimit të dëshmorëve, të flitet edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të kombit në luftë për çlirimin e atdheut, sepse kështu brez pas brezi do të përkujtohen figurat madhore të historisë dhe lavdisë sonë kombëtare, duke i dhënë kuptimin e plotë thënies “se dëshmorët vdesin për të jetuar gjithmonë”.

“Nuk ka asnjë dyshim se në radhët e UÇK-së u kyçen bijtë dhe bijat më të mirë të kombit për të luftuar kundër okupatorit, krimet e të cilit ndaj popullatës së pafajshme shqiptare tani më ishin bërë të padurueshme, të cilët nuk kursyen as jetën për të bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur. Ne sot, duke e shënuar këtë ditë të rëndësishme të historisë tonë më të re, po e nderojmë veprën e pjesëtarëve të UÇK-së, në bazë të luftës dhe kontributit të të cilëve po e gëzojmë Lirinë dhe Pavarësinë”, tha Mujka.

Në vazhdim ai shtoi se dëshmorët ishin dhe do të mbesin kurorë e lavdisë së kësaj ane dhe gjithë pjesëtarëve të UÇK-së, prandaj emrat dhe vepra e tyre nuk vdesin kurrë dhe se me kalimin e kohës, dëshmorëve të Kombit dhe veprës së tyre, vetëm sa u rritet vlera.

“Duke ndjerë obligim ndaj dëshmorëve, unë dua të ju garantoj se organet e pushtetit lokal, do të bëjnë çmos për t’i nderuar e respektuar dëshmorët e kombit dhe për të krijuar kushte që në mënyrë institucionale të bëhet përkujdesja për familjet e tyre dhe për invalidët e veteranët e luftës. Këtë jam duke e bërë dhe do e bëjë edhe në të ardhmen”, tha ndër të tjera Mujka.

Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik.