Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky ka thënë se raketat ruse që goditën të premten Ukrainën shkelën hapësirën ajrore të anëtares së NATO-s, Rumanisë. Por Rumania e ka mohuar një gjë të tillë, shkruan BBC.
Por raketat ruse shkelën hapësirën ajrore të Moldavisë, kanë konfirmuar zyrtarë të këtij shteti.
Zelensky i konsideroi këto raketa si një tjetër dëshmi se terrori nuk njeh kufij.
“Disa raketa ruse kaluan në hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë. Një tjetër dëshmi se terrori nuk njeh dhe nuk do të njohë kufij, një tjetër dëshmi se mbrojtja e Ukrainës është duke mbrojtur të gjithë Evropën dhe botën, çdo vend që thjesht dëshiron të jetojë jetën e tij. Raketat e sotme janë një sfidë për NATO-n dhe sigurinë kolektive. Ky është terror që mund dhe duhet të ndalet. Bota duhet ta ndalojë atë”, ka thënë ai.
Siç raporton Ukrinform, komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, deklaroi se më 10 shkurt, dy raketa ruse Kalibr kaluan kufirin shtetëror të Ukrainës me Republikën e Moldavisë dhe hynë në hapësirën ajrore të Rumanisë, pas së cilës ato rihyrën në hapësirën ajrore të Ukrainës në pikën e kalimit të tre kufijve. Sipas Zaluzhnyi, raketat u lëshuan nga Deti i Zi.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë konfirmoi shkeljen e hapësirës ajrore të vendit në orën 10:18 me orën lokale të premten.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka thënë se asnjë raketë ruse nuk kishte kaluar në hapësirën ajrore të vendit të premten dhe se raketa më e afërt që fluturoi në kufirin rumun ishte gati 35 km në verilindje.