Ummu Bayraktar dhe Nazife Batmaz po qëndrojnë brenda një xhamie në Adana të Turqisë, e cila është bërë një qendër shpëtimi pas tërmetit të së hënës.
Shtëpia e tyre aty afër është dëmtuar rëndë.
Anash një rruge, një grup i të mbijetuarve të mbështjellë me batanije dhe në karrige plastike gjenden rreth një zjarri për t’i mbajtur pak ngrohtë, shkroi BBC të martën ndërsa dëshmon ngjarjet përreth.
Dy gratë arrijnë shoqen e tyre, Nurten, të mbështjellë me batanije në të ftohtin e acartë. Ajo ulet dhe vajton.
Vajza e saj ishte në katin e dytë të një ndërtesë që u shemb. Nurteni ka pritur aty tërë ditën dhe natën, por asnjë lajm nuk i ka ardhur.
“Kur vajza ime është e shtrirë në të ftohtë, si mundem unë të shtrihem në një krevat të ngrohtë”, thotë ajo.
“Oh Zot, vajza ime nuk e ka dashur kurrë të ftohtin. Ajo është nën dhe. Shpirti po më digjet”, qan ajo.
Ndërkohë dëgjohen zhurmat e pajisjeve që gërmojnë.
Ndjenja e humbjes po përhapet më shpejtë sesa kërkimi për të mbijetuarit.
Nga më afër kufirit me Sirinë, vijnë më shumë lajme nga provinca e Hatayit, një nga rajonet që është goditur më rëndë.
Në errësirë, pamjet treguan një banor që kërkonte në rrënoja. Ai besonte se dikush është nën to. “Bërtit”, lutej ai.
“Siç e shihni, është një trup i vdekur këtu. Është i vdekur dhe askush nuk e ka tërhequr. Dhe një zë i një gruaje dëgjohet nga rrënojat”.
Ndërsa ai fliste, zëri i gruas dëgjohet nga rrënojat. Ajo qan dhe më pas bën zhurmë metali duke tentuar ta mbajë vëmendjen e burrit. Por, ai vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Një shtëpi e tërë është shembur dhe do të duhet makineri që të ngrejë rrënojat.
Kjo është një histori klithmash pa përgjigje, që përsëritet vazhdimisht në rajon.
Afër, një tjetër banor e Hatayt, Deniz, bën me gisht nga një ndërtesë ku janë bllokuar prindërit e tij.
“Ata po bëjnë zhurmë, por askush nuk po vjen. Jemi të shkatërruar. Zot... Ata po thërrasin, po thonë ‘na shpëtoni’, por nuk po mund t’i shpëtojmë”, thotë ai.
Edhe më afër epiqendrës, në Kahramanmaras, dëgjohet zjarri. Atje, mijëra ndërtesa raportohet se janë rrënuar, numri i të pastrehëve edhe më i lartë.
Një familje mblidhet, me shumë frikë nga dridhjet e pasme që të futen në ndërtesat e goditura rëndë. Zjarri është i vetmi që kanë. Flakët sjellin pak ngrohtësi për duart e tyre.
Një rajon pret ndihmën e cila mund të jetë e pamundur t’iu vijë në shkallën që nevojitet. Dhe ndërkohë më shumë ndërtesa rrezikojnë të shemben, dhe zjarret e vogla do të jenë e vetmja mënyrë për të qëndruar ngrohtë.