Botë

Trump takohet me homologun ukrainas Poroshenko

Descriptive Text

Presidenti Donald Trump u takua të martën me homologun e tij ukrainas, ndërkohë që janë shtuar pikëpyetjet nëse administrata e tij do të jetë e gatshme të mbrojë partnerët përballë një agresioni të mundshëm rus.

Takimi me presidentin ukrainas Petro Poroshenko u përshkrua fillimisht nga Shtëpia e Bardhë si thjesht një shtrëngim duarsh. Por dy presidentët bënë fotografi në Zyrën Ovale dhe komentuan shkurtimisht për gazetarët, pas takimeve më të gjera që zoti Poroshenko pati me Zëvendëspresidentin Mike Pence dhe këshilltarët kryesorë të sigurisë kombëtare.

Duke folur në krah të udhëheqësit ukrainas, Presidenti Trump tha se ishte "nder i madh" që takohej me Poroshenkon dhe se në marrëdhëniet e SHBA me Ukrainën "është bërë shumë përparim".

Në komente nuk u përmend Rusia dhe zoti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me hetimet rreth një bashkëpunimi të mundshëm të ekipit të tij të fushatës me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.

Presidenti Trump mohon me forcë se ka patur ndonjë kontakt me zyrtarët rusë gjatë fushatës dhe ka komentuar në Twitter se ky hetimi është një “gjueti shtrigash” e kurdisur nga demokratët për shkak të humbjes së tyre në zgjedhje.

Trump ka thënë se shpreson të krijojë lidhje më të mira me Moskën, duke riparuar mungesën e vullnetit nga periudha e Presidentit Obama, që erdhi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe nga mbështetja e Moskës ndaj presidentit sirian Bashar Assad, megjithë sulmet e tij kundër civilëve.

Në muajin prill, pas një sulmi të dyshuar kimik kundër civilëve në Sirinë veriore nga forcat qeveritare, zoti Trump tha se marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë "janë ndoshta në pikën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë.”