Arbëri

Dështon gjykimi ndaj Azem Sylës në rastin “Toka”

Descriptive Text

Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ndaj Azem Sylës dhe 38 personave tjerë.

Shkas është bërë ndërrimi i trupit gjykues. Gjyqtarja që ka qenë vendëse në panel, është avancuar në Gjykatë të Apelit, raporton KTV.

“Ne jemi duke pritur përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës sepse gjyqtarja Nora Bllaca nuk mund të jetë më pjesë e panelit por KGJK-ja ende nuk ka vendosur”, ka thënë Arcadius Sadek kryetari i trupit gjykues.

Në rastin 'Toka', Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar që ka të bëjë me tjetërsimin e pronave shoqërore në Veternik dhe Llapnasellë.

Pos ish-deputetit të PDK-së dhe ish-komandantit të UÇK-së, të akuzuar janë edhe Shaban Syla e Fahredin Gashi, të dënuar në rastin Bllaca. Të akuzuar ka edhe qytetarë serbë.

Tjera pika të aktakuzës përfshijnë shpëlarje parash, dhënie dhe marrje ryshfeti, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore e vepra të tjera. Azem Syla gjendet në paraburgim për këtë rast. Nëse KGJK-ja merr vendim për anëtarin vendor të trupit gjykues, seanca e radhës mbahet javën tjetër.