Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ymeri: Kadri Veseli e ka në dorë gjyqtarin Kalludra

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se Kadri Veseli e ka në dorë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Ymeri ka shkruar se ndaj Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit janë mbajtur dy seanca gjyqësore. Sipas tij, në asnjërën prej këtyre seancave nuk është paraqitur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në cilësinë e dëshmitarit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Ymerit, Veseli nuk është arrestuar ashtu siç janë arrestuar deputetët e VV-së për shpërfillje të thirrjeve për pjesëmarrje në seancën gjyqësore.

“Albini dhe Donika u arrestuan më 24 nëntor dhe prapë më 27 nëntor. Në burg po mbahen edhe sot, në ditën e 27-të. Gjatë këtyre ditëve u mbajtën 2 seanca gjyqësore (përfshirë këtë të mbajtur sot). Në asnjërën prej këtyre seancave nuk u paraqit Kadri Veseli në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë. Por ky asnjëherë nuk u arrestua. Edhe pse qartazi e shpërfilli thirrjen e gjykatësit. Edhe pse qartazi po e shpërfill gjyqin. Dhe pas tërë kësaj prokurori hoqi dorë nga dëshmimi i Veselit.”, ka shkruar Ymeri, i cili ka thënë se procesi ndaj deputetëve të partisë së tij është politik.

“E gjykatësi Albinin e Donikën i dërgoi prapë në burg. Ky proces është kryekëput politik, dhe kryekëput absurd proceduralisht. Kështu është kur e ke sistemin në dorë, sikur Veseli. Kur e ke gjykatësin në kontroll. Kur e ke prokurorin në dorë. Mund të bësh çfarë të duash. Pa pësuar asgjë”, ka shkruar ai.

“Veseli nuk është njëri prej dëshmitarëve. Ai është denoncuesi kryesor. Ai që me ngulm insistonte dhe insiston që Marrëveshja për Demarkacion të ratifikohet në Kuvend. Ai që insistonte që Zajednica të pranohej e zbatohej. Ai që insiston që Albini dhe Donika të mbahen në burg. Dhe këtë duke urdhëruar nga lartë e duke e mundësuar praktikisht nga poshtë”, ka shtuar ai.

“Këtë Veseli e bën me veglat e tij. Beqir Kalludra, gjykatësi përndjekës ndaj aktivistëve e deputetëve të VETËVENDOSJE!-s, duket të jetë njëra prej veglave më të përdorshme. Prandaj ky gjykatës i ka rastet kryesore kundër VETËVENDOSJE!-s në gjykim. Sepse e ka dëshmuar që dënon pa prova, mbanë deputetë në burg me urdhëra politik, i falë e u nënshtrohet të pushtetshmëve të ShIK-ut. Kështu mbijeton Kalludra, duke e mundësuar që të mbijetojë gjyqësori i kapur. Ai vet e tha sot se gjykatën e konsideron si të vehten, duke i nxjerrë të pranishmit jashtë pa asnjë arsye, dhe duke i kërcënuar se ‘nuk do të mund të hyjnë në gjykatën e tij’”.

“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se institucionet politike kanë ndikim mbi gjyqësorin. Është më thellë e më keq se kaq. Institucionet e kriminalizuara e kontrollojnë gjyqësorin. Kjo e bën që në Kosovë të mos gjykohet krimi, por të ndodh e kundërta, Krimi të shndërrohet në gjykatës e prokuror”.