Arbëri

Punëtorët e “Vitex-it” pas grevës në protestë, gjatë raportimit kërcënohet ekipi i KTV-së

Descriptive Text

Pas një jave qëndrimi në grevë, punëtorët e fabrikës së tekstilit "Vitex" në Viti pakënaqësinë e tyre e shprehën me protestë.

Para fabrikës, ku punuan për katër muaj e nuk u paguan asnjë cent, ata i kërkuan pagat e tyre, raporton KTV.

Me këta punëtorë u ballafaqua vetëm njëri ndër pesë pronarët, investitori gjerman.

Ai thotë se nuk kanë arritur të eksportojnë jashtë vendit materialin e prodhuar, gjë që ka shkaktuar vështirësi në sigurimin e mjeteve për këta punëtorë.

“Unë nuk kam para nga çanta ime që t’ua paguaj pagat. Të gjithë investimin, të cilin e kam bërë në këtë fabrikë, e kam bërë me mjetet e mia. Ju lutem kontaktoni me drejtorin gjeneral, Arben Metaj, pasi që edhe ai është i përfshirë në këtë çështje”.

Por këtë e mohuan punëtorët, të cilët thonë se ishin dëshmitarë se i gjithë tekstili u eksportua.

Derisa ekipi i KTV-së provoi të flasë me njërin ndër pronarët, Halil Rexhepin, për të cilin punëtorët thanë se është në pompën e benzinës, po ashtu pronë e tij, pak metra larg fabrikës, një person i panjohur e kërcënoi ekipin.

Ndërkaq, thirrjeve të KTV-së nuk u është përgjigjur drejtori gjeneral, Arben Metaj.

Sidoqoftë, këta punëtorë kanë thënë se do të ngrehin padi ndaj pronarëve në organet e drejtësisë, pasi që kanë kontrata pune me këtë fabrikë.