Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zbatimi i MSA-s, kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së

Qytetarët e Kosovës kanë perceptim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, duke u shprehur se Kosova do të përfitojë shumë nga integrimi i saj në familjen evropiane.

Në analizën e publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Kosova, Integrimi Evropian dhe MSA-ja: Një analizë mbi perceptimet e qytetarëve”, qytetarët kanë thënë se përfitimi me i madh i hyrjes së Kosovës në BE, është e drejta dhe liria për të udhëtuar, për të studiuar, punuar dhe për të jetuar kudo në Bashkimin Evropian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e Kosovës në BE tregohet edhe me votën e tyre dërmuese prej 75 për qind, nëse do të votonin në një referendum për hyrjen e vendit në BE. Derisa, 81 për qind e anketuesve janë shprehur të bindur se procesi i integrimit në BE do të gjeneronte një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në Kosovë.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, e ka mbështetur këtë analizë, duke thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj evropiane, por duhet të marrë vendimet e vështira.

Ajo kërkoi bashkimin e të gjitha grupeve politike dhe të bëjnë reformat e duhura që rrjedhin nga MSA-ja, pasi kjo marrëveshje është kyçe drejt integrimit në BE.

“Analiza e politikave që publikohet sot nga GLPS-ja dhe PIPS-i jep një pasqyrë shumë të qartë se çka duhet të bëhet dhe sa i qëndrueshëm është zbatimi i reformave të përcaktuara në MSA dhe ERA, do të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës dhe në ecjen përpara të Kosovës në agjendën evropiane. Pse vihet ky theks i vazhdueshëm në MSA, mund të pyesni, sepse edhe MSA-ja edhe ERA janë instrumente kyçe dhe udhërrëfyese kyçe për zhvillimin e Kosovës dhe për progresin e saj në rrugëtimin drejt Evropës. Por, edhe se MSA-ja ofron një mundësi unike për të forcuar sundimin e ligjit që është thelbësore për shumë reforma të tjera në Kosovë”, tha Willems.

Katerina Lopo nga zyra e BE-së në Kosovë, theksoi se është e rëndësishme që Kosova ka perspektivë evropiane, por, Kosova ka humbur kohë në punën e saj në zbatimin e MSA-së, transmeton kp.

“Është shumë e rëndësishme dhe shumë pozitive që Kosova ka perspektivë evropiane. Ne kemi tani marrëdhënien e parë kontraktuale që është MSA-ja, kemi ERA-n që është një vegël shumë e rëndësishme, që janë këtu për t’i ndihmuar Kosovës që të ecë drejt Evropës, dhe zbatimi vjen i pari pastaj mund të flasim për hapat tjerë”, u shpreh ajo.

Ndërsa kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, u shpreh se MSA-ja rrit përgjegjësinë e Kosovës që të zbatoj reformat e kërkuara. Sipas saj, zbatimi i MSA-së paraqet rrugën e parë drejt BE-së.

“Duke pasur parasysh përcaktimin e vendit tonë për integrim në BE, MSA-ja paraqet rrugëtimin e parë tonë në mekanizmat dhe përmbushjen e afateve kohore për t’i ndërmarr të reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto reforma konsideroj se do të ndërmerren në mënyrë progresive duke përfshirë kështu përmbushjen e të gjitha obligimeve juridike të shtetit tonë, që do të thotë miratimin, zbatimin e legjislacionit të BE-së, por gjithsesi edhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së”, theksoi Deliu-Kodra.

Mirëpo, kritika për mos punë ndaj qeverive të kaluara pati deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca sipas të cilit, nuk ka integrime evropiane pa reforma në drejtësi, sepse ky është guri themeltar i integrimit.

Sipas tij është koha kur nuk duhet t’i bëhet qejfi askujt, por të veprohet në zbatimin e reformave, të cilat nuk janë kryer nga qeveria e kaluar, e cila ishte e madhe. Konjufca tha se Kosova është ‘në bisht’ të integrimeve evropiane.

“E kam fjalën në fushën e reformave në gjyqësor. Nuk ka integrime evropiane pa e reformuar drejtësinë, kjo është guri themeltar i integrimeve evropiane. Nëse në një vend krimi i ka duart e lira, nëse në një vend krimi ka guxim të frikshëm edhe i ka duart e lira të bëjë çka të dojë, nuk ka integrime evropiane, e kjo është në Kosovë duke ndodhur. Guximi i krimit në Kosovë është i frikshëm”, theksoi Konjufca.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, theksoi se Kosova është në Evropë, por për nga niveli i zhvillimit dhe i mirëqenies qytetare është ende larg. Edhe Isufi u pajtua se qeveritë e kaluara nuk kanë bërë sa duhet, porse u shpreh i bindur se me Qeverinë Haradinaj gjendja ka ndryshuar në substancë.