Arbëri

Maqedoni, të gjithë për zgjedhje pa incidente

Organizmi i zgjedhjeve të lira, fer dhe kredibile dhe me rezultate të njohura nga të gjitha palët, do të jetë sfida e radhës jo vetëm për Komisionin Shtetëror Zgjedhor, që ka barrën kryesore të organizmit të zgjedhjeve, por edhe për Qeverinë e re të Zoran Zaevit, shkruan gazeta KOHA në Maqedoni.

Pikërisht për organizimin e zgjedhjeve pa incidente të premten u prononcua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Më shumë se 10 mijë policë janë në trajnim me pjesëmarrje të OSBE-së për zgjedhjet lokale, ndërkaq për MPB – prioriteti bazë janë zgjedhjet korrekte dhe demokratike”, theksoi Spasovski.

Ministri i Policisë kërkoi po ashtu bashkëpunimin me partitë politike që të ketë, siç tha ai, proces zgjedhor demokratik në vend. “Asnjë person zyrtar që punon në polici nuk ka të drejtë të marrë pjesë në asnjë fushatë elektorale partiake. Ministria e Punëve të Brendshme është e gatshme për të gjitha përgatitjet e një procesi të mirëfilltë, pra ne kontribuojmë që të ulen incidentet që të prishin procesin zgjedhor”, tha ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.

Nga ana tjetër, KSHZ është në vlugun e punëve jo vetëm në aspektin teknik të përgatitjes së materialeve zgjedhore, por edhe në aspekt të edukimit të komisionerëve dhe përmbyllës së Listës zgjedhore.

“KSHZ është e interesuar që zgjedhjet në aspekti teknik të mos kenë asnjë mangësi dhe procesi të kalojë sipas Ligjit. Për momentin po merremi me përgatitjen e materialeve zgjedhore, meqë këto janë zgjedhje lokale dhe fletëvotimet janë më të komplikuara, sidomos ato për këshilltarë komunal po punojmë që ata të jenë sa më të pranueshme dhe të lexueshme qartë për qytetarët. Lista zgjedhore do të jetë me foto për çdo votues dhe e cila pritet të nënshkruhet 15 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, do të thotë këtë të diel. Deri më tani i kemi kompletuar të gjitha këshillat zgjedhore dhe komisionet komunale”, tha për KOHA, Arjeta Xhemali, zëdhënëse e KSHZ-së.

Siç njofton ajo, më tej partitë politike duhet që pas dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore, të dërgojë në KSHZ raport financiar lidhur me paratë që kanë harxhuar gjatë fushatës dhe të tregojnë donacionet nga jashtë partisë.

“Nga e hëna do të fillojmë me procesin edukues të komisionerëve në Këshillat zgjedhore, ndërsa fushata edukuese do të vlejë edhe për qytetarët përmes spoteve televizive dhe sendeve të shtypura për të drejtat e tyre zgjedhore”, tha Xhemaili.

Sa i përket vëzhguesve të huaj, Xhemaili thotë se përveç OSBE-ODHIR-it, prezent në monitorimin e zgjedhjeve do të jetë edhe Këshilli Evropian, shtetet fqinje dhe shtete tjera të rajonit dhe Evropës.

“Nga vendorët do të kemi dy rrjete të organizatave – organizatën ‘Civil’ dhe ‘Most’. Vëzhgues kemi pranuar edhe nga Këshilli Evropian përveç OSBE-ODHIR-it, ndërsa edhe shtetet fqinje si Shqipëria dhe shtetet tjera të rajonit dhe Evropës kanë lajmëruar se do të kenë monitorues në këto zgjedhje”, tha Xhemaili.

Në ndërkohë, nga partitë politike, Aleanca Shqiptare ka qëndrime kritike ndaj Gjykatës Administrative, e cila e ka vlerësuar si të pabazë kërkesën e kësaj partie që të hiqet emërtimi “Aleanca për Shqiptarët” i koalicionit të dy partive – RDK dhe UNITETI.

Të njëjtën kërkesë kohë më parë nuk e pranoi as vetë Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

“Vendimi skandaloz i Gjykatës Administrative që e vlerësoi si të pabazë kërkesën e Aleancës për Shqiptarët ndaj emërtimit të ngjashëm të koalicioni RDK dhe Uniteti, si dhe neglizhencën e KSHZ-së ndaj këtij fenomeni dashakeq për të krijuar konfuzion tek votuesi, flet shumë dhe më këtë – procesi zgjedhor nuk lë shumë për të dëshiruar. Instalimi i gjykatësve politik të BDI-së dhe VMRO-së po mundohet shpeshherë dhe është në shërbim të subjekteve qe janë propozuar dhe jo në mbrojtje të Ligjit dhe normave Juridike. Kjo është një dëshmi se Gjykatat urgjentisht duhet reformuar dhe zhveshur nga petku partiak politik”, thotë Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.

Ai fton KSHZ-në që të jetë e kujdesshme në kryerjen e punës së saj gjatë procesit zgjedhor.

“KSHZ duhet të jetë u kujdesshme dhe ta bëj punën e saj me profesionalizëm dhe paanshmëri në interes të një procesi sa më profesional, demokratik dhe transparent.