Arbëri

Deputeti Krasniqi sqarohet për sulmin ndaj deputetit Zeka

Deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, është sqaruar me një postim në profilin e tij në Facebook për grushtet që i ka dhënë kolegut të tij deputet, Milaim Zekës të Nismës për Kosovën.

Ka thënë se i vjen keq për atë që ka ndodhur, duke shtuar se nuk do të donte që çështjet politike të zgjidhen në atë mënyrë.

Lexo edhe: Zeka do ta paraqesë në Polici sulmin e Krasniqit

Megjithatë ka mbajtur cilësimet negative për deputetin Zeka, të cilat ia tha edhe drejtpërdrejt në emision ku plasi sherri.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë e pa ndërhyrje reagimin e Krasniqit:

Të dashur qytetarë,

Më vjen keq për situatën që u krijua sot.

Dola në debat me Milaim Zekën, duke mos e llogaritur se sa e vështirë është të përmbahesh në debat me një njeri të tillë. Pavarësisht mesazheve mbështetëse, nuk do të dëshiroja që çështjet politike të zgjidhen në këtë mënyrë.

Pushtetit kriminal të Klanit Pronto nuk i ka mbetur përfaqësues tjetër përveç Milaim Zekës. Me ta nuk mund të bisedosh për politikë, ekonomi, etj. E vetmja gjuhë që dijnë është gjuha e shpifjeve dhe fyerjeve të rënda.

Ata, përballë argumenteve dhe fakteve tona, kanë vënë shpifjet dhe gjuhën denigruese që është bërë e padurueshme.

Milaim Zeka, që është mashtrues i mërgatës shqiptare, shok i ngushtë i Xhabir Zharkut që ndjeket nga Republika e Kosovës për krim të organizuar, keqpërdorues i hapësirës publike të Televizionit Publik, seksist dhe fyes i grave dhe vajzave, ofendues i qytetarëve të Kosovës, bashkëpunëtor i kriminelëve të Klanit Pronto, etj... ka degraduar çdo debat politik.

Edhe njëherë, ndjej keqardhje ndaj jush për krejt këtë situatë.