Arbëri

Pacolli kërkon që Këshilli i Sigurimit ta transformojë UNMIK-un në një zyrë politike të OKB-së

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka njoftuar se delegacioni i Kosovës në New York, ka takuar presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Miroslav Lajçak, të cilit i kanë bërë të ditur se është koha që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë transformimin e UNMIK-ut në një Zyrë Politike të OKB-së.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Pak më herët, së bashku me Presidentin Thaçi, takuam Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara z. Miroslav Lajçak. E uruam për zgjedhjen e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shprehëm interesimin tonë që të rrisim bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Asamblesë së Përgjithshme dhe mirënjohjen për rolin dhe kontributin e OKB-së gjatë procesit të shtet-ndërtimit të vendit. I bëmë të qartë, se duke marrë parasysh realitetin e ri në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është koha për Këshillin e Sigurimit të shqyrtojë transformimin e UNMIK-ut në një Zyrë Politike të OKB-së, që do të ndihmonte Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave të vendit për t’ju bashkuar komunitetit të kombeve të lira. Kërkuam, gjithashtu, që edhe formati i tanishëm i diskutimeve mbi Kosovën duhet ndryshuar dhe seancat e Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën duhet të reduktohen nga 4 në 1 apo 2 në vit, dhe të zhvillohen në një debat të mbyllur.