Arbëri

Ismaili tregon për gjendjen në të cilën e gjeti ministrinë e Shëndetësisë

Uran Ismaili, ministri i ri i Shëndetësisë, ka treguar se e ka gjetur këtë ministri në gjendje të rëndë dhe jostabile.

Ai ka thënë se ka gjetur shumë probleme strukturore me njerëz që nuk ushtrojnë pozitat e tyre, dhe me shtatë pozita që mbahen nga ushtrues detyre.

“Ministrinë e Shëndetësisë e kam gjetur në një gjendje jo stabile. Kam gjetur shumë probleme strukturore brenda. Ka shumë njerëz që janë ushtrues detyre dhe që mbajnë nga dy pozita. Me shtatë ushtrues detyre të pozitave të larta besoj se nuk mund të ketë reforma reale. Ky është patjetër prioritet që duhet të rregullohet sa më shpejti. Shumë shpejt do të shpallim konkurse për pozitat e larta. Mos të zihet peng ministria”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sa i përket spitaleve dhe shërbimeve, Ismaili ka thënë se një nga problemet është shpërndarja jo e mirë e mjekëve, duke thënë se shumica e mjekëve kanë ardhur në Prishtinë. Kjo sipas tij po detyron qytetarët që pavarësisht ku jetojnë të nisen drejt Prishtinës për të marrë trajtimin e duhur, ndërsa këtë ka mundur ta ketë në qytetin e tij.

Ismaili ka thënë po ashtu se mjekët janë ankuar në mungesë të ilaçeve dhe të pajisjeve elementare, duke shtuar se do të bëjë planifikim të ri për rregullimin e kësaj çështje. Ai ka thënë se do të bëhet planifikim i ri në mënyrë që të ketë blerje të ilaçeve ashtu siç edhe janë kërkesat nga pacientët dhe që të mos ketë mungesë të ilaçeve elementare.

Ministri i Shëndetësisë sot ka iniciuar krijimin e Bordit të ri Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe për këtë ka thënë se e ka bërë me qëllim të reformave në sektorin e shëndetësisë si dhe për funksionim normal e profesional të institucioneve.