Arbëri

Gjuriqi i jep dritën e gjelbër qeverisë Haradinaj

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, se atyre u është dhënë mbështetja e presidentit të Serbisë, e Qeverisë dhe institucioneve, në luftën për mbijetesën e popullit në Kosovë.

Kësisoj, ai ka thënë se do të mbështesin vendimin e tyre për të hyrë në qeverinë e kryesuar nga Ramush Haradinaj, transmeton Koha.net.

Lista Serbe para votimit të Qeverisë qëndroi në Beograd për takime konsultuese me zyrtarët e lartë atje.

Seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së Kosovës është thirrur për në orën 16:00, ndërsa votimi pritet të bëhet kur deputetët e Listës Serbe të kthehen në Kosovë.

Kujtojmë se sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se vendimin për pjesëmarrjen eventuale në Qeverinë e Kosovës mund ta marrin vetëm serbët, të cilët ruajnë ekzistencën e popullit të tyre në Kosovë.

“Por, populli ynë në Kosovë ndodhet para një vendimi të vështirë: të shkojë me Haradinajn, ose me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, e cila ka program më ekstrem se sa Haradinaj, bashkimin në Shqipërinë e Madhe”, ka thënë Vuçiq.