Në konkursin e Administratës Tatimore të Kosovës për 30 inspektorë tatimorë, përveç që janë punësuar të afërm me Lidhjen Demokratike, ka edhe të afërm të drejtuesve të këtij institucioni, raporton KTV.
Por, edhe persona që nuk u janë nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit janë gjetur në listën e të punësuarve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMezi presin të flasin për lotarinë me kuponë fiskalë dhe faljen e borxheve.
Por, Administrata Tatimore nuk ka kthyer asnjë përgjigje që nga 30 gushti për një prej konkurseve skandaloze të saj, për të cilin raportoi javën e kaluar KTV-ja.
Pyetjet e KTV-së kishin të bënin, mes tjerash, me lidhjet familjare të një prej të punësuarave në konkursin e fundit, me drejtorin të ATK-së, Sakip Imeri.
Saranda Krasniqi, sipas burimeve të KTV-së, është mbesa e Imerit, dhe ishte e punësuar në ATK me një kontratë mbi vepër.
Krasniqi gjithashtu ishte edhe në mesin e personave që kishin për detyrë të bënin përzgjedhjen e kandidatëve për fazat e para të pjesëmarrjes në konkurs.
Në listën e të punësuarve është edhe emri i Jehona Shala-Duriqit.
Në listat e kandidatëve që u janë nënshtruar testimeve me shkrim e me gojë, ajo mban emrin e plotë, por në listën e të pranuarve, figuron vetëm me mbiemrin Duriqi.
Ajo është vajza e vëllait të Zëvendësdrejtorit të ATK-së për operacione, Bashkim Shala, dhe i kontaktuar nga KTV-ja, nuk ka hezituar ta pranojë një gjë të tillë.
Por, Shala duke përjashtuar çfarëdo mundësie të ndërhyrjes për punësimin e mbesës, ka shpjeguar se pikërisht për këtë çështje kishte vizituar Agjencinë Kundër-Korrupsion, për të sqaruar nëse konkurrimi i saj në ATK paraqet konflikt interesi.
“Unë paraprakisht e kam verifiku a mund të jetë konflikt interesi dhe kjo nuk ka të bëjë me konflikt interesi, për shkak se unë nuk jam në asnjë vendimmarrje në këtë proces të rekrutimit, është komplet proces i ndarë prej meje”, ka thënë Shala përmes telefonit.
Megjithatë, ka pasur raste kur persona nuk u janë nënshtruar procedurave të parapara dhe sërish kanë dalë të suksesshëm duke u pranuar në punë.
I tillë del të jetë rasti i Ndriçim Qerkinit.
Ai është numër 890 në listën e kandidatëve që i janë nënshtruar testit me shkrim.
Por, emri i tij nuk figuron në mesin e 153 kandidatëve që ishin ftuar për procedurën në radhë: testin me gojë.
Dhe megjithatë, emri i tij figuron në listën prej 30 të pranuarve në punë si inspektorë tatimorë.
Javën e kaluar, për të njëjtin konkurs, KTV-ja raportoi se në mesin e 30 të pranuarve, ishin të paktën 6 zyrtarë, familjarë ose miq të zyrtarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.