Arbëri

Ferati flet për garën në Mitrovicë, zgjedhjen e Bahtirit e quan “aksident elektoral”

Fehmi Ferati, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, ka thënë se duke parë gjendjen në të cilën ndodhet Mitrovica, e duke qenë i përfshirë në qasjen kritike në media për zhvillimet e fundit në vend në spektrin politik, ka vendosur t’i bashkohet subjektit politik të Vetëvendosjes.

Ishte para vendimit nëse do ta linte qytetin e të zhvendosej me familje në Prishtinë dhe atij të angazhimit aktiv në politikë, kur vendosi për këtë të dytën.

“Pakënaqësia që kam parë në qytet vitet e fundit, sidomos shuarja e qytetit të Mitrovicës, më shtyu të jem pjesë e një subjekti i cili ka në thelb barazinë, drejtësinë e zhvillimin”, ka thënë Ferati në Interaktiv të KTV-së.

Pse ai është bashkuar me Vetëvendosjen, ka thënë se është bazuar në të gjitha parimet e këtij subjekti, jo vetëm atij lokal.

Tutje, Ferati ka akuzuar siç i ka quajtur ai, dy ish-partitë e mëdha në vend, PDK e LDK për bllokime e tensione të shtuara në shumë aspekte.

“Ka përfaqësues politikë që nuk i kanë qëndruar besnikë parimeve të partive tyre. Njëherë fyheshin mes vete, shkaktonin probleme në shoqëri e më pas u bashkuan”, ka thënë Ferati.

Për sa i përket zgjedhjes së Agim Bahtirit, Ferati e quajti “aksident elektoral”.

“Po gjithkund ndodhin aksidente elektorale me pasoja”, ka thënë ai.

Ferati ka folur edhe për kundërkandidaten e tij në këtë garë, Valdete Idrizi, që garon me PDK-në. Thotë ta ketë pasur shoqe.

“Ka qenë shoqe e imja dhe na ka befasu të gjithëve me vendimin, duke e pasur parasysh qasjen e saj kritike. Nuk e kemi pritë, por megjithatë është e drejtë e çdo qytetari që të orientohet politikisht”, ka thënë ai.

E ka quajtur kuriozitet për Mitrovicën, që “përveç kryetarit tashmë të ndjerë Faruk Spahia, gjithë të tjerët ose nuk kanë lindur në Mitrovicë ose nuk kanë jetuar në Mitrovicë derisa kanë qenë në krye të Komunës”.

Ka folur pak edhe për të kaluarën e tij, të lidhur me qasjen e tij kritike përmes humorit.

“Më vjen keq nëse njerëzit mendojnë se unë gjatë gjithë kohës kam bërë humor. Unë shumicën e kohës kam folur seriozisht. Humori është një dhunti dhe jam krenar për këtë. Nëse njerëzit mendojnë se një njeri që bëjnë humor nuk janë serioz do të ishte tragjedi”, ka thënë Ferati.