Arbëri

Maqedonia pa qëndrim për Kosovën në UNESCO

Qeveria e Maqedonisë qëndrimin e saj ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO duhet ta bazojë në interesin e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë.

Kështu shprehet analisti Ismet Ramadani sipas të cilit Maqedonia duhet orientuar në bazë të politikave ndërkombëtare. Ramadani konsideron se Qeveria e Maqedonisë duhet të vazhdojë rrugën e rindërtimit të fqinjësisë së mirë, me të gjithë, përfshirë edhe Kosovën.

"Kryeministri ka një alibi plus për të mbështetur Kosovës, pasi ka një numër të madh të shqiptarëve në Maqedoni, për të cilët duhet të ketë kujdes pasi ata janë qytetarë që i përfaqëson si Kryeministër. Mendoj se Zoran Zaev do të kalkulojë dhe të gjitha matematikat do t’i bëj me BE-në dhe SHBA-në, përderisa dihet edhe qëndrimi i tyre kur në pyetje është Kosova dhe kur në pyetje është Serbia", tha analisti Ismet Ramadani.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ka përsëritur qëndrimin se Maqedonia nuk do të merr anë në kontekstin mes Kosovës dhe Serbisë. Mes rreshtave, Dimitrov paralajmëron qëndrimin e përmbajtur të Qeverisë së Maqedonisë, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

"Assesi nuk jemi në pozitë për të marrë pozitë udhëheqëse në këtë rast. Si element në ndërtimin e mendimit tonë për këtë çështje do të merren parasysh interesat e Beogradit, interesat e Prishtinës, por mbi gjitha interesat e Maqedonisë- deklaroi ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, raporton Alsat-M.

Qëndrim më të kthjelltë se Dimitrov kishte më herët kryeministri Zoran Zaev i cili deklaroi se Maqedonia duhet të tregohet mjaft e kujdesshme dhe të ndërtojë raporte miqësore si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë dhe se do të mbajë qëndrim neutral gjatë votimit të Kosovës për në UNESCO. Zaev akoma nuk ka paralajmëruar nëse ky vendim do të mund të rishqyrtohet, megjithatë deklaratat e tij ishin ndryshe në Shkup dhe ndryshe për mediat serbe. Për qëndrimin e Maqedonisë pro Kosovës, ekzekutivi vendas u kërcënua në mënyrë diplomatike nga ana e Serbisë e cila ditë më parë tërhoqi gjithë stafin diplomatik nga vendi.