Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij se pa marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë, nuk do të lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Në takim me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, Kurti ka thënë se kërkesa për marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se Kurti dhe Davenport kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e të drejtave të komuniteteve joshumicë në vend.
“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në njoftim.
Qëndrimin që zgjedhjet e Serbisë s’mund të organizohen në Kosovë, Kurti ia shprehu Davenportit edhe nëpërmjet një letre të dërguar ditë më parë.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti.