Arbëri

Osmani për aksionin e Policisë: Duhet të pritet epilogu i rastit

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për t'u deklaruar për aksionin që organet e drejtësisë e kanë zhvilluar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duhet të pritet epilogu i procesit.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve dhe në këtë moment nga informatat që kemi është e pamundur që të paragjykohet epilogu i këtij rasti, pra institucionet e kanë punën e tyre”, ka theksuar Osmani.

Ajo këto komente i ka bërë në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të mbajtur pas vizitës që e ka zhvilluar në këtë Komunë.

Të premten organet e drejtësisë kanë zhvilluar një aksion ku në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë arrestuar drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Gjithashtu në këtë askion është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi.

Tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe sipas Prokurorisë Speciale dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’ dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.