Mustafa: S’bëjmë koalicion me PDK-në, me VV-në duhet qartësuar dhunën e programin

Mustafa: S’bëjmë koalicion me PDK-në, me VV-në duhet qartësuar dhunën e programin

12 gusht 2017 15:47

Kryeministri në detyrë dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për zhvillimet e fundit në vend, ku sipas tij, koalicionit PAN po i rrezikohet kapja e shtetit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje i shfrytëzoi këto parti për të justifikuar dhunën e për të ardhur në pushtet.

Mustafa tutje përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se PDK, VV, AAK, Nisma si inicuese, Lista Serbe, të gjithë së bashku të bashkërenditur organizuan dhe i shpallën mosbesim Qeverisë së drejtuar nga LDK. Emëruesi i përbashkët i koalicionit te tyre anti LDK shpjegohet me faktin se nuk shihnin interes që Kosova të ketë një Qeveri që lufton krimin dhe siguron zhvillimin ekonomik.

“U vërejt që edhe ndërkombëtarët, të cilët e kanë plotë gojën luftë kundër krimit dhe korrupsionit, se në fakt janë më shumë të interesuar për stabilitet, qoftë ai i menaxhuar nga krimi, sesa për një qeverisje e cila në mënyrë të pavarur lufton krimin. Prandaj edhe ndodhi kjo që ndodhi”, ka shkruar Mustafa.

Tutje ai ka shkruar se PDK-së, AAK-së e Nismës iu rrezikohej kapja e shtetit nga njerëzit që i kanë të instaluar në institucione. Kurse, VV i shfrytëzoi këto parti për të justifikuar përdorimin e dhunës për ardhje në pushtet. Argat të tyre ishin edhe disa deputet të LDK-së.

“Lista Serbe i fërkoi duart se tani do të jenë faktor kyç, ata dhe Beogradi, në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës. Shfrytëzuan mendjelehtësinë e atyre që thirreshin në vendime të mëdha!? Rezultoi se llogaritë, sondazhet, këshillat e të gjithëdijshmëve, materiali propagandues iu dolën të gabuara! Ishte kjo e vetmja qeveri e pasluftës e drejtuar nga LDK-ja, ndaj së cilës u ushtrua dhunë e paparë”, shtoi ai.

Mustafa ka thënë se “u sulmuan institucionet, u sulmua familja, shtëpia dhe eskorta e Kryeministrit, u sulmuan disa ministra. Opinioni heshti. Heshtën edhe organet e ligjit”.

Vota e mosbesimit nënshkroi certifikatat e dhunës dhe të ideatorëve të saj.

Këto ditë ata që organizuan të gjitha këto pisllëqe dhe komplote kërkojnë që LDK-ja tu bashkëngjitet për të bërë institucionet, bile edhe po kanë fytyre (të pafytyrët) të fajësojnë LDK-në se ajo qenka tani bllokuesja.

Është e qartë se LDK nuk e shkaktoi këtë situatë, se LDK nuk e ka mandatin për Kryetar të Kuvendit dhe as radhën e parë për nominim të Kryeministrit. Prandaj Koalicioni i LDK -së s'ka si ta bllokojë e as si ta zhbllokojë situatën. Situatën po e mban peng Koalicioni i PDK-së.

Të gjithë ata që kanë iluzione se me zhagitje të proceseve, para apo pas zgjedhjeve lokale, do të ndryshojnë qëndrimin e LDK së mashtrohen kot!

Mustafa ka thënë se për sa i përket koalicionit PAN, ata nuk do të bëjnë koalicion me ta, ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje do të qartësojnë disa gjëra.

“Në asnjë rrethanë nuk bëjmë koalicion me PDK-në për qeverisje qendrore. Sa i përket Vetëvendosjes, do të kërkojmë që ti qartësojnë qëndrimet e tyre për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme por edhe çështjet programore. Në ditët në vijim do të adresojmë çështjet specifike”, ka përfunduar Mustafa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme