Arbëri

Kurti pret masa ndaj Serbisë: BE-ja duhet të dëshmohet si ndërmjetëse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që Bashkimi Evropian të dëshmohet si ndërmjetësues dhe të imponojë zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi ose të konstatojë moszbatimin apo shkeljet dhe të vë sanksione ndaj Serbisë për refuzim të zbatimit.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se dakordimet e tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër janë konstatuar si Marrëveshje nga ndërmjetësit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, e si rrjedhojë ato duhet të zbatohen.

“Sa i përket marrëveshjes bazë, BE-ja duhet të dëshmohet. Kemi marrëveshje, kishim më 27 shkurt e bëmë sërish në 18 mars. Të dyja janë marrëveshja. Janë konstatuar nga ndërmjetësi Josep Borrell dhe emisari Lajçak që kjo është marrëveshje. Pra BE-ja po thotë se është marrëveshje. Nga ana tjetër, Serbia thotë se s’ka ndërmend të zbatojë diçka apo po shkel diçka tjetër. Por ne s’mund të merremi me këtë. Prandaj ekziston ndërmjetësi. BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren. S’ka kuptim që të mbesin tekst në letër”, ka thënë Kurti duke shtuar se “ndërmjetësi është ai i cili imponon zbatimin ose konstaton moszbatim a shkelje dhe sanksione përkatëse”. “Është ndërmjetësi që ka fjalën për çfarëdo devijimi, deformimi apo shkelje”.

Kurti ka komentuar edhe çështjen e nenit 7, të shumëpërfolur të marrëveshjes bazë mbi propozimin evropian për normalizim raportesh në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, aty bëhet fjalë për “vetëmenaxhim të komunitetit serb” dhe s’ka të bëjë me “komuna”.

“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit, jo komunave. Komuniteti s’është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative. s’është e njëjta gjë. E kuptoj që s’janë krejtësisht të ndryshme e të palidhura, por s’janë e njëjta gjë. Kam thënë se nga pikëpamja ime e fuqishme jo thjesht politike, por juridike kur themi komuniteti serb atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës. Kjo është platforma, ky është regjistri në të cilin kuptohet edhe angazhohemi për komunitetet, përfshirë atë serb”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se s’mund të mohohen dy marrëveshjet e arritura më herët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, sipas Kurtit, të dyja kanë qenë shumë të cenuara në të kaluarën. Sipas tij, ajo e para është cenuar nga vetë presidenti i Serbisë që ka nxitur dorëheqje kolektive të serbëve në veri e duke dërguar letra te vendet mosnjohëse, ndërsa tjetra nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet t’i kemi parasysh këto elemente kur flasim për ato marrëveshje. S’bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë e as Asociacion. As populli me Republikën. Republika është organizim shtetëror. Populli është popullsia shoqëria. S’barazohen dy gjërat. S’janë të pavarura, s’janë të ndashme në mënyrë absolute, por larg prej të njëjtës gjë”, ka thënë Kurti.

Po ashtu Kurti ka thënë se në dy vjet qeverisje nuk e ka pasur “top-prioritet” dialogun me Serbinë.

Kurti dhe Vuçiqi të shtunën që shkoi u morën vesh në Ohër të Maqedonisë, për aneksin e zbatimit të planit evropian. Pavarësisht zotimeve, Vuçiqi menjëherë ka kundërshtuar pikën e lejimit të pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo është pika për të cilën Kurti ka kërkuar nga BE-ja të ndërmarrë masa.

Për nenin 7, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se bëhet fjalë për formimin e Asociacionit.