Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Bruksel takimi ka qenë pozitiv, ndërsa ka shtuar se bisedimet do të vazhdojnë me negociata për planin e zbatimit duke thënë se nuk ka hequr dorë nga asnjë qëllim.
Ai ka përsëritur se normalizimi i marrëdhënieve arrihet vetëm me njohjen reciproke.
“Nuk kam hequr dorë nga asnjë qëllim. Nuk jam në çfarë do rruge tjetër përveç asaj që jam zhvilluar dhe që është e përbashkët. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje reciproke dhe me reciprocitetin si princip. Pra, në të gjitha çështjet që do t`i trajtojmë. Besoj që dje ka qenë një takim pozitiv. Nuk e kemi ende normalizimin e plotë. Por ajo çfarë mund të them është se u konfirmua që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive. Diskutimet do të vazhdojnë sepse do të kemi tash negociata për planin e zbatimit por besoj që është koha që qytetarët politikanët, zyrtarët, ekspertë dhe profesionistët ta lexojnë vet këtë tekst i cili ka 5 fjali në preambule dhe 10 nene gjithsej sepse i 11 duhet të negociohet dhe në këtë mënyrë duhet të demokratizohet kjo çështje tash që u publikua vet nga Brukseli”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se nuk ka mundur ta publikojë planin evropian për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, por ka thënë se është i gatshëm që t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës.
“Unë nuk kam mundur ta publikoj se i tillë ka qenë vet principi pra konfidencialiteti i bisedimeve, kam qenë maksimalisht transparent për propozimin, jam i gatshëm të shkojë në Kuvendin e Republikës çdo herë kur deputetët e konsiderojnë të nevojshme, besoj që ka nevojë. Por tash që është publikuar teksti unë besoj që ata që s’kanë pasur rastin ta lexojnë, ta bëjnë këtë dhe le ta shqyrtojnë, le ta studiojnë, le të diskutojnë hapur, thellësisht, gjerësisht sepse unë besoj që kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve, në të mirën e shtetit tonë”, ka thënë ai pas homazheve për viktimat e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit.
Kurti: Problemet më të mëdha që i kam në bisedime janë trashëgimia që ma kanë lënë qeveritë e mëhershme
Kryeministri Kurti ka theksuar se nuk po bën gabime e as devijime. Ka thënë se pala serbe dhe ndërmjetësuesit evropianë kanë qenë të vetëdijshëm për parimet e tij.
Ai ka thënë se problemet më të mëdha që po i ka në procesin e bisedimeve, janë trashëgimia që ia kanë lënë qeveritë paraprake.
“Por, unë me përgjegjësi të plotë ju them se nuk jemi duke bërë as gabime as devijime. Ata ishin plotësisht të vetëdijshëm për kushtet dhe parimet e mija dhe natyrisht që problemet më të mëdha që i kam në procesin e bisedimeve janë trashëgimia që ma kanë lënë qeveritë e mëhershme dhe unë krejt çka di e mundem e bëjë më të mirën”.
Kurti ka treguar se BE-ja do që brenda marsit të kryhet edhe një takim tjetër, teksa ka shtuar se bisedimet pritet të jenë jo të kollajshme.
Ai ka shtuar se në plan ka nevojë të konkretizohen gjërat, pasi sipas tij ka nocione “gjenerike”.
“Tash do të kemi një fazë të diplomacisë fluturuese në Prishtinë dhe Beograd nga emisari Lajçak. Ajo çfarë unë besoj se duhet të ngjajë është që të kemi principe procedurale sa i përket planit të zbatimit e ato duhet të jenë dy kryesoret për bindjen time, gjithëpërfshirja dhe efikasiteti. Pra, na duhet një plan i zbatimit i cili karakterizohet nga këto dy principe procedurale, pra të qenit inkluziv dhe të qenit efikas për shkak të shumë nocioneve që janë në këtë propozim të BE-së për tekstin e të cilit u dakorduam. Për shkak të nocioneve me karakterit gjenerik kemi nevojë që në plan të zbatimit të kemi tiparet e konkretësisë pastaj të të qenit specifik, mandej të afateve kohore dhe të sekuencimit në zbatimit. Ka shumë punë përpara por besoj që ja ka vlejtur për të mirën e Kosovës, takimi i mbrëmshëm, për çka i falënderoj ndërmjetësitë. Synimi i Brukselit është që të përfundoj në këtë muaj në kuptimin e planit të zbatimit por natyrisht që do të ketë shumë punë edhe të tjerë për shkak se çështjet siç e keni parë në ato 10 nene janë të shumta andaj aty do të ketë shumë punë e angazhim, do të ketë shumë bisedime jo të kollajshme por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars të arrijmë një takim të radhës të nivelit të lartë që është si lloj kurorëzimi i diplomacisë fluturuese të z. Lajcak dhe në këtë mënyrë rezultatet e prekshme të jenë edhe në këtë muaj por natyrisht nuk mund të parashikohet e paragjykohet tani kjo gjë”, ka përfunduar Kurti.