Arbëri

Kurti “s’është në dijeni” për vërejtjet e BE-së që i përmendi Bislimi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka njohuri për vërejtjet e Bashkimit Evropian mbi dy kushte të tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e të cilat para një jave i përmendi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Sipas Bislimit, për dy nga gjashtë kushtet e Kurtit, Bashkimi Evropian ka shprehur vërejtje. Edhe pse ai s’pati dhenë detaje për këto vërejtje, Kurti të mërkurën ka thënë se “nuk është në dijeni të tyre”.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Mbase duhet ta takoj dhe shoh se çfarë komunikimi ka pasur me vendet e BE-së. Edhe një herë po e them, ato gjashtë kushte, gjashtë parime, janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjit, që të mos jetë mono-etnik, që të kemi reciprocitet të të drejtave të komuniteteve joshumicë...” ka thënë kryeministri pas një ceremonie për 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës.

Para dy javësh, Kurti në Kuvendi prezantoi gjashtë kushte për formimin e Asociacionit. Kushtet e Kurtit janë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk mund të jetë njëetnik e as të bartë pushtet publik apo ekzekutiv; që në mes të Kosovës dhe Serbisë të vlejë parimi i reciprocitetit për të drejtat e pakicave kombëtare; që strukturat ilegale të Serbisë në veri të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke; si dhe që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t'i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Pak ditë më pas, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi në konferencë për media u shpreh se për dy kushtet e Kurtit ka vërejtje BE-ja, ndërsa ka shtuar se për to duhet të pyetet i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Gjashtë kushtet që ka paraqitur zotëri Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. BE-ja ka vërejtje të saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur të jetë në Prishtinë”, ka thënë Bislimi javën e shkuar.


I pyetur se pse nuk po flitet nga palët e tjera të përfshira në dialog për marrëveshjen me njohjen në qendër, Kurti ka thënë se pa nisur bisedimet e nivelit të lartë nuk mund të aludohet për një gjë të tillë.

“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende. Duhet të ketë takim të nivelit të lartë. Nga bisedimet shohim çka e kur. Normalizimi të plotë të marrëdhënieve pa njohjen në qendër nuk mund të ketë. Në çdo takim, edhe ndërkombëtarët e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të çahen nga njëra-tjetra”, ka thënë ai.