Arbëri

Opozita kritikon Qeverinë për koeficientin

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë Kurti për caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në 105 euro. Deputetë të Lidhjes Demokratike, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e kanë cilësuar si të turpshëm vendimin e Qeverisë.

Të mërkurën Qeveria ka dërguar në Kuvend propozimin për ndryshim të Ligjit të Buxhetit. Në të është paraparë që vlera e një koeficienti në ligjin e pagave të jetë 105 euro. Sipas kreut të LDK-së, kjo është pandjeshmëri e Qeverisë dhe se me të po shkaktohet braktisja e vendit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “koeficient të zbrazjes së Kosovës” teksa ka thënë se LDK-ja do të propozojë amendament që koeficienti të ngrihet në 125 euro.

“Koeficienti i zbrazjes së Kosovës! Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publikë. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se koeficienti nën 125 euro është shkatërrim i ekonomive familjare.

“Qeveria cakton koeficientin vetëm 105 euro! Çmimet janë RRITË deri në kulm, Qeveria e ka DYFISHUAR tatimin në pronë, përkrahje ZERO për qytetarët, tash edhe pagat MINIMALE. Në anën tjetër, Qeveria mbanë QINDRA MILIONA euro të pashpenzuara, në këtë kohë KRIZE! Ministrat e kanë lehtë se pagën, xhipat, naftën, darkat ua paguajnë qytetarët me tatimet e tyre, prandaj nuk e ndjejnë krizën financiare të qytetarëve. Koeficienti më i vogël se 125 është shkatërrim i ekonomive familjare”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Dy deputetë të PDK-së, Mërgim Lushtaku e Bekim Haxhiu, e kanë cilësuar mashtrues kryeministrin Albin Kurti e vendimin turpërues.

“Kryemashtruesi pasi që bëri lojë psikologjike me fshehjen e vlerës së koeficientit, sot publikon vlerën dëshpëruese prej 105€! Ky kryemashtrues nuk ia do të mirën qytetarëve dhe vendit të vet! Me të gjitha këto veprime në kohën e fundit, kryemashtruesi ka vetëm një qëllim - TRAZIRAT!” ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Ndërkaq Haxhiu ka thënë se ky ligj duhet të dërgohet në Kushtetuese.

“Vendimi i Qeverisë Kurti për vlerën e koeficientit 105 euro, është turpërues! Me këtë vendim do të ketë ulje të pagave për shumë sektorë! 105 euro vlera e koeficientit është nënçmim, fyerje dhe zhgënjim për nëpunësit publikë. Rritje të çmimeve te produkteve ushqimore, Rritje të çmimit të energjisë, Rritje të çmimit të derivateve, Rritje të çmimit të tatimit në pronë, Rritje e inflacionit, Ulje të pagave... Kjo është qeveria e shpresës dhe ndryshimit! Krejt dhe drejt shkatërrimit të çdo sektori, çdo shprese e motivimi. Me këto vendime arbitrare Qeveria po punon që të ikin sa ma shumë qytetarë nga Kosova. Ky vendim bashkë me Ligjin për Pagat është i pa pranueshëm dhe duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka thënë se me caktimin e vlerës së koeficientit të pagave, në 105 euro, kryeministri ka fyer zyrtarët publikë.

“Sot, kryeministri ka fy rëndë zyrtarët publikë, ua uli dinjitetin, i poshtëroi, luajti lojë të pistë e psiqike këto muaj duke mbajtur fshehur një koeficient kaq skandaloz”, ka shkruar ajo në Facebook.

Duke kritikuar Kurtin, Bytyqi ka thënë se ai do të ndëshkohet nga populli.

“Koha jote po përfundon kryeministër për të mos u kthyer kurrë më. Sepse populli sheh, populli ndëshkon!” ka shkruar tutje Bytyqi.