Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe Vetëvendosje kundër Veselit për kryetar Kuvendi - për kandidatët tjerë kanë lëshime

Deputetja e partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se assesi nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Me të njëjtën deklaratë ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, e cila, përmes kryetarit të saj, Isa Mustafa, tha se nuk do ta votojë Veselin për kryetar të Kuvendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një prononcim për Koha.net, Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje do të jetë e pranishme në seancën konstituive, duke shtuar se kjo seancë nuk duhet bojkotuar nga askush dhe se nuk duhet të ndërpritet assesi.

“Nuk mendojmë që seanca konstituive duhet të ndërpritet. Ajo çfarë dihet tashmë është se në asnjë rrethanë nuk do ta votojmë Kadri Veselin si kryetar Kuvendi”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se arsyeja për këtë është se ata konsiderojnë që Kryetari i Kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo nxitëse e përçarëse dhe që kërcënon deputetët e aktivistët politikë.

“Ne i kemi bërë thirrje koalicionit PAN që të tërhiqet nga ky propozim. Ne besojmë se ka emra në këtë koalicion që mund të propozohen për Kryetar Kuvendi”, ka shtuar Haxhiu.

E pyetur se në rast se koalicioni PAN propozon kandidat tjetër për kryetar Kuvendi, e jo Kadri Veselin, Haxhiu ka thënë se atëherë Vetëvendosje do ta shqyrtojë.

“Nëse ka propozim tjetër, me siguri se ne do ta shqyrtojmë në Grupin tonë Parlamentar. Por, sigurisht varet nga emri që propozohet”, ka thënë Haxhiu për Koha.net.

Kujtojmë se, nëse koalicioni PAN nuk propozon kandidat për Kryetar të Kuvendit, seanca mund të ndërpritet, ndërsa koalicionet tjera nuk kanë të drejtë të bëjnë propozime, por se PAN-i ka të drejtë të propozoj secilin prej 120 deputetëve të zgjedhur.

Mbledhja e Parë e Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës u caktua nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për 3 gusht në orën 10:00.