Arbëri

Ende s’ka ankesë ndaj vendimit të Gjykatës në rastin e Shyhrete Berishës

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore e Prizrenit, dega në Suharekë, i dha të drejtë Shyhrete Berishës, e cila kërkon drejtësi që shumë vjet pas luftës.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera, raporton KTV.

Për këtë vendim, nuk është parashtruar ende ankesë nga avokati i Xhelal Berishës.

Naim Qelaj, avokati i Shyhrete Berishës, ka thënë se vendimi i pritur në favor të Shyhrete Berishës, është mirëpritur në opinionin kosovar.

Ndërkaq, Xhelal Berisha përmes telefonit, nuk ka treguar nëse do të parashtrojnë ankesë, derisa ka shtuar se ende nuk e kanë marrë vendimin.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë.

Shyhrete Berisha, në vitin 2013, kishte paditur Arben e Xhelal Berishën për t’iu njohur e drejta pronësisë në shtëpinë ku kishte jetuar deri më 26 mars të vitit 1999.

Ajo është një prej të mbijetuarave të masakrës serbe ndaj familjes Berisha.