Arbëri

Kërkohet që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të jetë në Kosovë

Descriptive Text

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, sot mori pjesë në Samitin e Triestes ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Në samit Mustafa foli për zhvillimet në Kosovë.

“Ne në Kosovë tani jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, dhe të themelimit të Qeverisë së re, por jam i kënaqur që mund të rikonfirmoj se edhe nga këto zgjedhje del një orientim shumë i qartë i qytetarëve të së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë”, tha ai.

Në vazhdim Mustafa ka përmendur edhe iniciativat e reja të bashkëpunimit, duke kërkuar që bashkëpunimi të vazhdoj edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

“Sa i përket Traktatit të Komunitetit të Transportit, unë dëshiroj të shpreh interesimin e Kosovës këtu, që selia e këtij traktati të jetë në Kosovë, sepse deri më tani nuk kemi arritur që të kemi asnjë seli të programeve të cilat i kemi realizuar bashkërisht në suaza të bashkëpunimit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Unë e shoh të rëndësisë mjaft të madhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi, e shoh të rëndësisë të madhe edhe iniciativën që kancelaria Merkel sot lidhur me Samitin e IT-së, që do të marrë, sepse kemi interes që të zbatojmë teknologjinë informatike dhe të përparojmë edhe më tutje, dhe po ashtu e shoh edhe interesin e Kosovës që në suaza të bashkëpunimit tonë, të kemi edhe bashkëpunim edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në mënyrë që të arriturat evropiane dhe botërore ne të mund t’i aplikojmë edhe në vendet tona, si të arriturat në ekonomi, në mënyrë që të të ulim diferencat tona në zhvillim, të cilat aktualisht ekzistojnë në mes të vendeve tona dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian.

Dëshiroj që t’ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur, që t’ju bëjë ftesë që ta në përkrahni edhe më shumë në të gjitha mënyrat dhe më të gjitha instrumentet, edhe juve edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian", tha ndër të tjera Mustafa.