Arbëri

Afër 3.5 milionë shqiptarë nesër zgjedhin institucionet e reja

Nesër në tërë territorin e Shqipërisë mbahen zgjedhjet parlamentare. Të drejtë vote kanë 3.452.260 votues.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha për KosovaPress se Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet për të gjitha ato që janë në kompetencë të saj.

Sipas Hoxhajt, KQZ sipas kodit zgjedhor të Shqipërisë, ka marrë të gjitha masat që janë në kompetencë të saj që të bëjë gjithçka që procesi i votimit që mbahet nesër, por edhe procesi i numërimit të shkojë si është më së miri.

“Janë 3.452.260 zgjedhës që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa qendra votimi janë 5362. Gjithë shqiptarët do të kenë mundësinë t’u drejtohen qendrave të votimit ku ata janë regjistruar dhe të shprehin vullnetin përmes votës së tyre. Shpeshherë pyetet për numrin e madh të zgjedhësve, por Ligji shqiptar parasheh që çdo shqiptar që ka shtetësi shqiptare, pavarësisht ku është, ka të drejtë të votojë, por votimi bëhet vetëm në Shqipëri, nuk ka të drejtë nëpërmes postës”, tha Hoxhaj.

Në këto zgjedhje që mbahen në ditën e Bajramit të Madh, sipas Hoxhajt garojnë 18 parti për zgjedhjet parlamentare, por njëkohësisht mbahen edhe zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Kavajës.

“Specifikë është se më 25 qershor zhvillohen zgjedhjet parlamentare, por zhvillohen edhe zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Kavajës. Për zgjedhjet parlamentare është një garë që zhvillohet mes 18 partive politike, të cilët kanë një numër të lartë të kandidatëve, pasi që garojnë për 140 vende në Parlament. Ndërsa për zgjedhjet në Kavajë, marrin pjesë tri parti politike dhe janë tre kandidatë për kryetarë”, tha Hoxhaj.

Ajo sqaron se në tërë vendin janë 12 qarqe, por zona të administrimit zgjedhor janë 90.

Sipas zëdhënës së KQZ-së, nuk pritet që shpejt të dalin me rezultatet preliminare nesër, pasi që sipas Hoxhajt numërimi i votave fillon në momentin kur vjen kutia e fundit me vota.

Megjithatë sipas saj votat gjatë numërimit dalin në tabelë online në faqen e KQZ-së, por edhe në aplikacionin “Voto 2017”, që mund të shkarkohet në të gjithë smart telefonat dhe kompjuterët.

Qendrat e votimit pritet të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe të mbyllen në orën 19:00.