Arbëri

Ngricat dhe breshri shkaktuan dëme 13 milionë euro – ende asnjë fermer s’është kompensuar

Ende asnjë fermer nuk është kompensuar për dëmet që janë shkaktuar në bujqësi nga moti i ligë që mbretëroi në këtë pranverë. Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë thonë se nuk dihet ende se kur do të kompensohen. Megjithatë, dëmet e shkaktuara deri më tash kapin vlerën prej 13 milionë eurosh, e në anën tjetër fondi i Ministrisë për kompensim të dëmeve është 500 mijë euro.

Mbi 13 milionë euro janë dëmet që janë shkaktuar në bujqësi deri më tani nga moti jo i favorshëm për të mbjellat. Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, duke iu referuar të dhënave që janë mbledhur nga fermerët dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi. Sipas tyre, vlera e dëmeve mund të rritet edhe më shumë.

Isuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë thotë se në total deri më tash në bazë të raporteve që kanë arritur nga terreni vlera e dëmeve shkon mbi 13 milionë euro. Sipas tij, vlera e dëmeve është më së shumti nga ngricat e vonshme pranverore.

“Dëmet janë shkaktuar kryesisht nga ngricat e vonshme pranverore, por për fat jo të mirë edhe këto ditë kemi pas edhe reshje që jo në shumicën e rasteve kanë shkaktuar dëme por kanë shkaktuar reshje të breshrit në raport me reshjet e shiut e që vlerë e këtyre dëmeve në vazhdimësi do të rritët, pasi që jemi në mes të zezonës”, tha Cikaqi për televizionin publik.

Sipas tij, derisa dëmet janë dhjetëra milionëshe e pritet të rriten edhe më shumë, vlera që ministria ka në dispozicion për kompensim është 500 mijë euro.

Përkundër kësaj, ende asnjë fermer nuk është kompensuar për dëmet, dhe nuk dihet ende se kur do të kompensohen.

“Nuk e dimë, sepse neve në vazhdimësi, po pranojmë raporte dhe kjo është arsyeja që neve nuk mund të vendosim që me këtë shumë të dëmeve që është bërë, tash e potencova ma herët që është mbi 13 milionë dhe me 500 mijë dhe me kaq përqind mund të kompensohen dëmet sepse pas një jave mund të na vinë raporte tjera të cilat raportohen për dëmet tjera që mund të shkaktohen qoftë nga era qoftë nga reshjet e tepërta ose diçka tjetër. Dhe pastaj pjesa tjetër mbetet pa u kompensuar”, tha Cikaqi.

Ai shpreson që qeveria e vendit të ndajë mjete shtesë që sadopak të rritet kompensimi i dëmeve për fermerët e dëmtuar.