Fillon ndërtimi i Xhamisë në Kodrën e Diellit në Tetovë

Fillon ndërtimi i Xhamisë në Kodrën e Diellit në Tetovë

19 qershor 2017 21:10

Në Kodrën e Diellit të dielën pasdite është vendosur gurëthemeli për ndërtimin e xhamisë, e cila do të jetë në shërbim edhe të banorëve në vikend shtëpizat, por edhe të vizitorëve. Gurëthemeli i Xhamisë është përcjellë me një manifestim të gjatë fetar, ndërsa kanë qenë të pranishëm krahas udhëheqjes së BFI-së dhe Muftinisë së Tetovës, po ashtu edhe shumë besimtarë nga Tetova dhe më gjerë, shkruan gazeta KOHA e Maqedonisë.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman efendi Rexhepi, në fjalimin para të pranishmëve tha se nëse vetëm për ndërtimin e xhamisë kërkohet plan urbanistik, atëherë pse nuk kanë vlejtur këto rregulla kur janë ndërtuar këto objekte këtu si dhe kisha.

“Këtu kemi edhe një objekt tjetër që është një manastir dhe kjo neve nuk na pengon, por na pengon ajo se në kohën kur është dhënë leje për ndërtimin e atij objekti, pse nuk është dhënë leje për ndërtimin e xhamisë, sepse ne prej natyrës jemi multifetar, multikonfeksional,shumë etnik, mes shumë feve dhe kulturave që gërshetohen në këtë nënqiell. Në atë kohë kur është ndërtuar manastiri, ne kemi reaguar ashpër jo pse ndërtohet, por se edhe ne duam që të jemi prezent këtu. Është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë në atë kohë dhe na është ndarë lokacion në Kodrën e Diellit. Mos të diskutojmë pse u vonua puna, sepse sot duhet të jemi të gëzuar”, tha Rexhepi.

Rexhepi më tej tha se kjo është një ditë e jashtëzakonshme. “Me të vërtetë njeriu në këtë ambient, në këtë vend, me këtë rast që moti e kemi pritur, kemi bërë orvatje ta bëjmë, ta praktikojmë, jo të jetë vetëm luftë teorike, por ta jetë luftë praktike, do të thotë ta mbrojmë momentin, ditën edhe çastin, ku kështu së bashku të vendosim gurëthemelin e një tempulli të shenjtë, një xhamie, në këtë vend historik, në këtë vend turistik, në këtë vend të bukur që vetëm i madhi Zot di ta krijojë. Pra, kjo është një kënaqësi shumë e madhe, është një rezultat jashtëzakonisht historik, sepse ne nuk jemi historian, por nuk kam lexuar nga historianët tanë që këtu, në Kodrën e Diellit, ka pasur xhami ndonjëherë”, tha më tej Sulejman Efendi Rexhepi.

Muftiu i Tetovës, Qani Nesimi, tha se ideja për të ndërtuar xhami në këtë pikë turistike është e kamotshme. Ai tha se janë tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet juridike dhe nuk ka asnjë pengesë që të ndërtohet xhamia. Sipas tij, realizimi i kësaj iniciative është realizuar me mbështetje të donatorëve privat, besimtarëve, xhamive të rajonit të Tetovës si dhe shumë afaristëve lokal të cilët i falënderoi. Ai u shpreh i gëzuar që sot po bëhet realitet një ëndërr dhe dëshirë e kamotshme e muftinisë dhe banorëve lokal.

“Të jesh në një vend kaq të lartë, ka një simbolikë shumë të fortë. Mua nuk më bie në hise ta bëj këtë simbolikë, por me leje të kryetarit dhe juve që jeni prezent, do ta bëj këtë simbolik. Ju e dini se në vende të larta ka shumë punë të mëdha që bëhen, në mesin e tyre edhe Kur’ani ka zbritur nga lartë dhe ajo që neve na ka tubuar këtu është pikërisht fjalë e Allahut dhe atij i jemi falënderues për këto të mira që na i ka dhënë që ne të jemi sot në këtë gurëthemel. Të nderuar, ky gurëthemel nuk është i sotëm, kjo ide është e kahershme, BFI rregullisht e ka kërkuar, e sidomos pas viteve të 90-ta me në krye kryetarin tonë të respektuar, Sulejman Rexhepin, me të gjithë hoxhallarët, me myftitë tonë”, tha Qani efendi Nesimi, myftiu i Tetovës.

Përndryshe, edhe pse deri më tani ka pasur shumë kërkesa e peticione që të ndërtohet një xhami në Kodrën e Diellit, megjithatë çdo herë ka pasur pengesa që e kanë frenuar ndërtimin e së njëjtës.

Në manifestimin e hedhjes së gurëthemelit të xhamisë u organizua dhe një program festim me këndimin e ilahive dhe lexim të ajeteve kuranore, ndërsa për mysafirët dhe qytetarët e pranishëm u shtrua dhe në iftar në vendin ku do të ngritët Xhamia e Kodrës së Diellit.

Edhe pse muftiu Nesimi në fjalimin e tij tha se ndërtimi i Xhamisë në Kodrën e Diellit është sipas rregullave dhe se ka marrë konfirmim nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, se gjithçka është në bazë juridike, kjo e fundit nuk ishte e pranishme në këtë eveniment.

Po ashtu në këtë ceremoni nuk është vërejtur asnjë përfaqësues nga Komuna e Tetovës apo komunave përreth.

comments powered by Disqus
Të ngjashme