Arbëri

Eurodeputetja angleze në Prishtinë: Beogradi të kërkojë falje për krimet në Kosovë

Julie Ward nuk është një politikane tipike. Deputetja e Parlamentit Evropian nga Partia Laburiste, që udhëhiqet nga Jeremy Corbyn, ka ardhur në Kosovë bashkë me vëzhgues të tjerë nga BE-ja dhe është gëzuar me faktin që ka parë shumë të rinj pranë kutive të votimit.

Megjithatë, në Kosovë, asaj i intereson një çështje më shumë se të tjerat: trajtimi i grave që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale në luftën e fundit.

Lidhur me implementimin e Ligjit që rregullon kompensimin e viktimave të dhunës seksuale, ajo kishte gati një letër për parlamentin e shpërbërë, të cilën do ta adresojë në momentin e konstituimit të parlamentit të ardhshëm.

Ajo tani ka një sfidë për liderët në Beogradin zyrtar.

Ward, në Parlamentin Evropian, ndër të tjera, është pjesë e delegacionit për relacionet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën dhe komitetin për të drejtat e grave dhe barazi gjinore.

Ajo mban kontakte të vazhdueshme me organizatat e këtij profili në Kosovë dhe premton se edhe për 2 vjetët e mbetur të mandatit të saj në Parlamentin Evropian, do të ngritë zërin sa herë të ketë mundësi për këto çështje.