Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjermania do të ndihmojë në implementimin e marrëveshjes së energjisë me Serbinë

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, u takua me një delegacion të Qeverisë së Gjermanisë që po qëndron në Kosovë, i kryesuar nga Heike Backofen – Warnecke, zëvendës drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Evropën Lindore dhe Kaukazin Jugor në Ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Gjermanisë.

Duke i falënderuar për përkrahjen që shteti i Gjermanisë ka dhënë për Kosovën, Tahiri njoftoi delegacionin gjerman për progresin e gjithëmbarshëm në Kosovë si dhe për avancimin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës. Në mënyrë veçantë, ajo theksoi potencialet e larta ekonomike të Kosovës dhe kapitalin e pasur njerëzor duke kërkuar nga Gjermania bashkëpunim më të thellë ekonomik dypalësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shtetet që kanë ndihmuar pavarësinë e Kosovës, sikurse që është Gjermania, duam t’i kemi partnerë strategjikë për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Tahiri.

Ajo po ashtu vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë, respektivisht të bankës gjermane KfW, për projektin e linjës së interkonjeksionit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kërkoi nga shteti i Gjermanisë që të ndihmoj në zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për energjinë, e cila marrëveshje vazhdon të bllokohet nga pala serbe.

Tahiri potencoi se mosrespektimi i marrëveshjes së Brukselit për energji nga Serbia “po mban peng përpjekjet e Procesit të Berlinit për interkonektivitetin rajonal të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga KOSTT-it me ç‘rast drejtori Mustafë Hasani po ashtu ka shprehur brengën e mos implementimit të marrëveshjes së Brukselit për energji dhe pasojat e saj për Kosovën dhe rajonin.

Nga ana e saj, Warnecke ka shprehur vullnetin e shtetit të saj, Gjermanisë, për mbështetjen e vazhdueshme për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës në të gjitha sferat si dhe në proceset e integrimit euro- atlantik.

Ajo tha se “Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës” ndërsa premtoi angazhime për të gjetur zgjidhje sa më të shpejt për implementimin e marrëveshjes së energjisë duke ruajtur gjithmonë sovranitetin e shtetit të Kosovës.