Arbëri

LDK: “Koalicioni i natës” kërcënon dhe shantazhon administratën shtetërore

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj asaj që kjo parti e quan “kërcënim dhe shantazh publik” që kandidati “i koalicionit të mesnatës”, Ramush Haradinaj, i bëri sot administratës shtetërore.

Haradinaj, në një diskutim të sotëm me qytetarë të Rahovecit, tha se nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma fiton zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, do të "zbraz tërë administratën shtetërore" për të, siç tha ai, “sjell njerëz adekuat për të punuar në shërbim të qytetarëve”.

Ndërkaq LDK, përmes këtij reagimi dërguar mediave, ka “garantuar qytetarët e Kosovës, që me fitoren që do të arrij në zgjedhjet e 11 qershorit, do t’ia pamundësojë koalicionit të territ që t’i shantazhojë dhe t’i largojë nga puna punëtorët profesionalë të administratës, me synim që ta mbush atë me mbështetësit e tij”.

“LDK ka plan konkret për reformë moderne në administratë dhe jo për largim me dhunë të njerëzve nga vendet e punës siç ndodh në vendet diktatoriale, forma që po propagandohen nga kandidati i koalicionit të territ, i cili, siç e ka humbur arsyen, do të humb edhe në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka thënë LDK në këtë reagim.