Arbëri

Halimi: PDK rrëzoi qeverinë sepse i pa ngecjet e shtetit – Grainca: PDK bëri lëvizje të pandershme

Opinione të ndryshme kanë dhënë deputetët e tri partive kryesore në vend për qeverisjen Mustafa, që sot ra pas votimit pro për mocionin për mosbesim të ngritur nga opozita.

Anëtarja e PDK-së, Selvije Halimi, thotë se partia e saj ka vendosur që t’i japë fund koalicionit me LDK-në pasi kishte kuptuar që shteti nuk po avanconte.

“Realisht PDK ka organet e saja vendimmarrëse. Ka pasur biseda me partnerin e koalicionit qe 2-3 javë se si të ecet me proceset e mëdha dhe nuk pati hapa tjerë. Kështu u vendos nga anëtarët e PDK-së që kur të kemi stopim të rrugës tutje për të zhvilluar vendin dhe për të marrë vendime për interesin e popullit duhet që qytetarët të vendosin, për hapat e ardhshëm”, ka deklaruar Halimi.

Në anën tjetër, vendimin për prishje të koalicionit, Blerim Grainca i LDK-së, e ka quajtur lëvizje të pandershme.

“PDK me synimet e saj nga dëshira që të udhëheqë qeverinë, ka kohë që bënte aranzhmane për këtë ngjarje. Mendoj se ka qenë lëvizje jo e ndershme, që derisa ishte partner ka pasur biseda me partitë politike tjera”, ka thënë Grainca.

Në debatin në Interaktiv, deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, ka thënë se Kuvendi “ishte i suksesshëm sepse arriti të ndalë proceset e Qeverisë së dështuar”.

“Kërkesa e opozitës ka qenë shumë e mëhershme. Që nga fillimi i këtij mandati ishte e ditur se qeveria ishte e dështuar. Sot ka përfunduar koalicioni që do të mbahet mend për dy çështje të mëdha, Demarkacioni dhe Asociacionin, dhe mos mbajtjen e premtimeve. Kuvendi ishte shumë i suksesshëm, ka penguar faljen e hektarëve Malit të Zi”, ka thënë Kurteshi.