Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama tërheq nga gara një kandidat të PS-së, Nishani vlerëson vendimin e tij

Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se i ka kërkuar kandidatit të PS-së në Kavajë të tërhiqet nga gara.

“I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës dhe i kërkoj të tërhiqet dhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj edhe unë këtë apel shumë miqësisht”, deklaroi Rama nga kryeministria gjatë një konference për shtyp.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kandidatët për kryetar të bashkisë së Kavajës janë Astrit Muhamer Haka, kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit dhe Klodian Agron Shehi kandidat i PS-së, emri i të cilit është i dyti në fletën e votimit.

Rama tha se po tentohet të krijohet destabilitet në Kavajë, por shtoi se ai nuk do të lejohet kjo. “Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan. Këto nuk janë hamendje, por fakte”, deklaroi ai.

Por, kryeministri Rama duke vënë theksin se Kavaja nuk është sfida e kësaj qeverie, deklaroi se qeveria është e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet e 18 qershorit.

“I kërkoj Lulzim Bashës te fokusohet te zgjidhja që i është ofruar deri në datën 7 maj. Jam gati për të detajuar ofertën që ka mbi tavolinë. Zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor me apo pa PD-në”, deklaroi Rama.

Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili bëri të ditur tërheqjen e kandidatit të PS-së nga gara e zgjedhjeve në Kavajë, ka reaguar Presidenti Bujar Nishani.

Në njoftimin për shtyp publikuar në faqen e presidencës thuhet:

“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e vlerëson qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve, për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend”.