Krejt çka ndodhi rreth marrëveshjes për emrin e Maqedonisë

17 June 2018 19:08

Republika e Maqedonisë Veriore është emri i ri për shtetin e deritanishëm të Maqedonisë.

Greqia dhe Maqedonia e kanë arritur këtë marrëveshje pas kontestit 25 –vjeçar, raporton KTV.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, marrëveshjen e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për të ardhmen e dyja vendeve.

“Kjo është një marrëveshje patriotike mes dy popujve. Me këtë zgjidhet një kontest shumëvjeçar, forcon besimin mes dy vendeve dhe popujve. Marrëveshja do të hapë edhe një faqe të re në zhvillimin ekonomik mes dy shteteve.”

Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, marrëveshjen e ka vlerësuar si historike dhe shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane.

“Ndjenja ime sot është se me nënshkrimin e marrëveshjes po zhvendosim edhe malet, sot po i japim fund një kontesti, dallimeve shumëvjeçare që kishin ngritur mure mes dy shteteve…kemi humbur shumë, por ne pas shumë përpjekjesh arritëm marrëveshje të dinjitetshme për ndërtimin e miqësisë…e kaluara na ka mësuar shumë, duhet të mësojmë nga e kaluara dhe jo ta përsërisim”, ka thënë Zaev.

Të pranishëm gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kanë qenë përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.

Ndërkaq, dhjetëra protestues grekë tentuan të thyenin kordonin policor dhe të hyjnë në perimetrin e sigurisë, ku u takuan kryeministrat për të nënshkruar marrëveshjen.

Por, policia e ka zmbrapsur turmën duke hedhur sasi të madhe të gazit lotsjellës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme