Video

Thaçi po zvarrit emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon ta mbajë peng emërimin e kryetarit dhe anëtarëve tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ-ja, për herë të parë që nga themelimi i saj, ka mbetur pa mandat.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhje, presidenti menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve qendrore të 11 qershorit, ishte i obliguar që brenda 60 ditëve t’i emëronte anëtarët e rinj.

Por, edhe pse po bëhen afër një vit që nga mbajtja e zgjedhjeve, presidenti ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas Albert Krasniqit nga KDI-ja, presidenti me këtë veprim po bën shkelje ligjore dhe kushtetuese.

Derisa thotë se funksionalizimi i këtij Komisioni nuk po i konvenon presidentit.

Krejt kjo për shkak të dominimit të opozitës, pasi që nga dy anëtarë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa po aq anëtarë ka edhe PAN-i.

Ndërkaq, partitë opozitare hedhin kritika në adresë të presidentit, duke thënë se nuk po vepron në përputhje me dispozitat ligjore.

Ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, thotë se presidenti duhet të veprojë urgjentisht, në të kundërtën do të marrin vendim që këtë çështje ta dërgojnë në instancat përkatëse.

Tashmë kjo parti ka dërguar dy emra te presidenti, atë të Hydajet Hysenit dhe Adnan Rrustemit.

Ndërkaq, KTV-ja ka kontaktuar edhe Florian Dushin, emri i të cilët është dërguar për emërim në Presidencë nga LDK-ja. Ai ka thënë se për herë të parë presidenti e ka krijuar një situatë të tillë.

Kohavisioni i ka dërguar pyetje Zyrës së presidentit Hashim Thaçi, për të marrë sqarime lidhur me këtë ngecje, por zyrtarë të Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje.

Pas përfundimit të zgjedhjeve qendrore një vit më parë, presidenti ishte arsyetuar se për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale nuk mund t’i emërojë anëtarët dhe kryetarin e ri të KQZ-së.