Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kërkim të realizimit të një të drejte të tyre, të njohur edhe nga kushtetuesja. Ata kanë thënë se kryeministri Haradinaj iu ka kërkuar që të heqin dorë nga kamata prej 3 për qind për borxhin prej 25 milionësh që shteti ua ka atyre, raporton KTV.
Për të 133-ën herë ata kanë ardhur nga qyteti i tyre, Ferizaj, për të protestuar para institucioneve të Kosovës, në kërkim të realizimit të një të drejte të tyre, të njohur edhe nga gjykata më e lartë në vend.
Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave duan që ekzekutivi t’ua paguajë borxhin prej rreth 25 milionë eurove të 912 ish-punëtorëve të kësaj fabrike.
Thonë se e kanë takuar edhe kryeministrin Haradinaj, muaj më parë, i cili iu kishte kërkuar t’i falin diçka shtetit, duke iu referuar atyre që të heqin dorë nga kamata prej 3 për qind për borxhin prej 25 milionësh.
Protestuesit kanë kujtuar se në favor të tyre kanë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Parlamentit të Kosovës dhe të odës së veçantë të AKP-së por vendimi nuk po zbatohet nga Qeveria e Kosovës, në mungesë të mjeteve financiare.
Me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në duar, për më shumë se 7 vjet, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt janë sjellë poshtë e lartë institucioneve, madje për muaj të terë kishin qëndruar në grevë para ndërtesës së qeverisë por pa rezultat.
Gjykata Kushtetuese vendimin e kishte nxjerrë më 17 dhjetor të vitit 2010, me të cilin e bënte të detyrueshëm vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt dhe për ekzekutues i caktonte AKP-në dhe Qeverinë e Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.