Video

Ukraina nën mëshirën e Putinit

Bota i ka lënë ukrainasit nën mëshirën e Vladimir Putinit, i cili po e pushton Ukrainën nga toka, deti dhe ajri me 150 mijë trupat e tij ushtarake. Vetëm dy ditë pasi njohu pavarësinë e rajoneve separatiste, Donetsk dhe Luhansk, lideri rus ka urdhëruar futjen e trupave ushtarake në shtetin fqinj.

Ukrainasit janë zotuar se do të mbrohen, pavarësisht raporteve ruse se ka shkatërruar brenda pak orësh sistemin e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë ukrainase. Të dyja palët raportojnë për dhjetëra të vrarë në radhët e kundërshtarit.

Rusia e nisi luftën pavarësisht mohimit të deritanishëm të raporteve amerikane se Moska nisi në fund të vitit të kaluar planifikimin e pushtimit të Ukrainës, e cila nuk pranoi të hiqte dorë të hiqte dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO dhe t’i nënshtrohej Rusisë së Putinit që dëshiron kthimin e perandorisë së dikurshme ruse.

Presidenti ukrainas ka thënë se Putini sulmoi tradhtisht, duke e krahasuar agresionin rus me pushtimin e Ukrainës nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vladimir Putin i ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat dhe sanksionet e Perëndimit. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se vendet e tjera që mund të përpiqen të përzihen se përfshirja e tyre do të sillte “pasoja që nuk i keni asnjëherë më parë”.

Në analizat e mediave ndërkombëtare, thuhet se Putini jo vetëm që po rrezikon paqen evropiane si asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe po mundohet të vendosë një rend të ri botëror.

Kolonat e gjata kanë krijuar kaos në Kiev në përpjekje për të dalë nga kryeqyteti pas bombardimeve të para ruse. Grupe të mëdha njerëzish janë mbledhur edhe në stacionet e trenit nga frika e bombardimeve të reja.

Në tregjet financiare, Rubla ruse ka pësuar rënie prej 7.5 për qind kundrejt dollarit, derisa çmimi i naftës është ngritur për gjashtë dollarë në barel.