Video

Arrestohen Dardan Molliqaj dhe 12 aktivistë të PSD-së për aksionin në ZRRE

Pas katër orësh qëndrimi brenda zyrave të Rregullatorit të Energjisë aktivistë të Partisë Socialdemokrate në krye me kryetarin Dardan Molliqaj kanë përfunduar në stacion policor.

Ata janë larguar me forcë nga Policia me arsyetimin për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës.

Në pranga përfunduan: Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Natyra Kuqi, Teuta Rrusta dhe disa aktivistë të tjerë.

Paraprakisht këta aktivistë kanë kërkuar nga ZRRE-ja që të publikojë vendimin përmes të cilit është bërë rritja e tarifave elektrike.

Pas kësaj kryesuesi, anëtarët e Bordit të ZRRE-së, menaxhmenti dhe zyrtarët e tjerë të këtij institucioni u penguan që të kryejnë punën e tyre nga zhurma e krijuar nga filikaqat (bilbilat) dhe trokitjet në dritare.

Derisa disa zyrtarë të ZRrE-së kishin dalë në pauzë, aktivisti Nushi ka mbyllur dy zyra duke i marrë çelësat e tyre.

Më herët aktivistët kishin ndërprerë siguresat e furnizimit me rrymë me ç’rast serverët e kësaj zyre kanë ngelur jofunksionalë.

Gjatë kësaj kohe ZRRE-ja ka lëshuar edhe një njoftim duke thënë se PSD-ja me metoda të dhunshme dhe në mënyrë të paprecedente ka hyrë në zyrat e saj duke pamundësuar punën e stafit.

Grafikë ZRRE

Pas kthimit vazhduan kërkesat e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, për publikimin e vendimit.

Pas arrestimit të aktivistëve ka reaguar PSD duke thënë se aktivistë të saj protestuan dhe kundërshtuan një vendim që prek të gjithë publikun, e po ashtu që ato vendime të mos mbahen të fshehta.

Ndërkohë Policia ka bërë të ditur se vazhdimisht u ka bërë thirrje aktivistëve që të dalin nga objekti e të mos pengojnë zyrtarët.

“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet e tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet nga Policia e Kosovës.

ZRRE-ja më 8 shkurt ka marrë vendim për miratimin e tarifave të reja që kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt. Aty parashihet rritje e çmimit për konsumatorët që kalojnë pragun prej 800 kilovatësh. Ndërkohë KESCO-ja ka kërkuar që të shtyhet fillimi i zbatimit për në mars, kërkesë kjo që pritet të shqyrtohet nga ZRRE-ja.