Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka shtrenjtuar të martën tarifat e energjisë, duke i bërë dyfish më të larta për pjesën e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë (kWh). Ato janë mbështetur nga Qeveria, por reagimi ka qenë i menjëhershëm i opozitës – ajo ka kërkuar nga Kuvendi që të debatohet mbi këtë vendim, e ka paralajmëruar edhe veprime gjyqësore.
“Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 centë”, ka kumtuar ZRRE-ja. “Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”.
Kësisoj, një kilovat që kushtonte 3 centë gjatë natës, është shtrenjtuar në 5.9 centë, ndërkaq kilovati për orë që kushtonte 7 centë, tani është rritur në 12.52 centë. Shtrenjtimi do të vlejë vetëm për familjet, por jo edhe bizneset dhe konsumatorët e tjerë.
Opozita menjëherë provoi një mocion gjatë vazhdimit të punimeve në seancën plenare të Kuvendit. Me të synonte përfshirjen e një pike të veçantë të rendit të ditës: Debat mbi vendimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë. Në mungesë numrash, mocioni ka dështuar, e si kundërpërgjigje për këtë opozita e ka lëshuar sallën, për ta “zhvendosur” debatin në konferenca për media e në rrjetet sociale.
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), subjekt më i madhi opozitar, në një konferencë shtypi akuzoi Qeverinë se nuk i lejoi të diskutojnë në Kuvend për ndryshimin e tarifave nga ZRRE. Sipas tij, vendimi mbi tarifat dëmton mirëqenien e qytetarëve.
“ZRRE ka marrë një vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e qytetarëve në vendin tonë, një vendim që e rëndon jashtëzakonisht shumë jetën e çdo qytetari”, ka deklaruar Tahiri.
E, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka shkruar se pos kundërshtimi të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, do të kërkojnë edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe do të iniciojnë rast në organet gjyqësore.
“Partia Demokratike e Kosovës, siç e ka kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar, do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore, njëjtë si në Kuvendin e Kosovës dhe nuk do të ndalet së kërkuari shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, që kanë vulosur këtë dënim ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Vendimin e ZRRE-së, të mbështetur nga Qeveria, e ka cilësuar si diskriminues kreu i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.
Në një konferencë shtypi, ai ka thënë se LDK do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me vendimin e fundit të ZRRE-së. Edhe ai ka konsideruar se duhet të shkarkohet bordi i ZRRE-së.
“Do të kërkojmë edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së, të vendosur nga Qeveria Kurti, që përgjatë gjithë kësaj kohe kanë treguar jokompetencë të plotë, derisa do të kërkojmë edhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve qeveritarë, që në kohën kur vendet e rajonit merreshin me krizë, e kanë injoruar krizën”, ka thënë Abdixhiku gjatë konferencës për media.
Në të njëjtën linjë janë shprehur edhe në partinë tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Besnik Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka deklaruar gjatë një konference për media se do t’i bashkërendojnë hapat institucionalë për ta ndaluar rritjen e çmimit të rrymës.
“Si subjekt politik do të bashkërendojmë me partitë opozitare për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që ta ndalim ngritjen e çmimit që është shumë i rëndë për qytetarët”, ka theksuar Tahiri.
Por, vendimi mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, ishte i pashmangshëm. Gjatë kohës kur palët mund të jepnin komente mbi tarifat e propozuara, edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që drejtohet nga Kurti, por edhe një ministri, kanë përcjellë në ZRRE propozimin që blloku tarifor, në kufijtë e të cilit nuk ndihet rritja, të jetë 800 kWh në muaj, saktësisht siç të martën ka vendosur ZRRE-ja. Zyrtarët qeveritarë kanë justifikuar nevojën për rritje, me rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare dhe rritjen e kërkesës së konsumit për energji elektrike gjatë vitit të fundit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, i konsideroi si populiste deklaratat e politikanëve opozitarë rreth ndryshimit të tarifave të energjisë.
Ajo po ashtu ka thënë se partitë opozitare nuk kanë dërguar komente në ZRRE për sa U përket rekomandimeve për situatën.
Por, i është kundërpërgjigjur Besnik Tahiri i AAK-së dhe Hykmete Bajrami e LDK-së.
“Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së sapo shpifi në seancë që LDK-ja nuk ka dorëzuar komente në ZRRE, lidhur me dokumentin konsultativ të ZRRE-së. LDK-ja ka dorëzuar komente në ZRRE, në ZKM, në MFT dhe në ME. Shihni dok. e protokolluar”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Nismën për ta rritur çmimin e energjisë elektrike, opozita e ka kundërshtuar edhe gjatë janarit kur ZRRE-ja i propozoi Qeverisë që t’ia miratojë kërkesën për tarifa të reja, të cilat preknin konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 KWh në muaj.
Ato e kanë shprehur kundërshtinë në Kuvend, ndërkaq është një parti opozitare jashtë Kuvendit që kundërshtinë e ka shprehur në shesh. Partia Socialdemokrate më 29 janar organizoi protestë para Qeverisë, me kërkesën që t’i anulojë planet e ZRRE-së për të rritur çmimin e faturave të rrymës.
Por, ZRRE-ja e ka vazhduar planin për ta rritur çmimin.
Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRRE-së, ka thënë në mbledhjen e së martës se numri më i madh i konsumatorëve nuk do të preken nga rritja.
“Numri më i madh i konsumatorëve janë ata që nuk e tejkalojnë bllok-tarifën prej 800 kWh dhe nuk shkaktojnë kosto shtesë në sistem. Ky 20 përqindëshi është shtytësi kryesor që ne jemi të obliguar të dalim e të blejmë energji në treg”, ka thënë Fejzullahu.
Po në atë mbledhje, anëtari i bordit të drejtorëve, Ymer Rudari, përmendi bursën ndërkombëtare si një nga arsyet pse është rritur çmimi.
Ai ka shtuar se me kërkesën e rritur për konsum të energjisë janë obliguar të importojnë.
Të njëjtat arsye i ka dhënë vazhdimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, është irracionale të besohet se në kohën e krizës globale të energjisë të mos ketë njëkohësisht reduktime, subvencionim apo rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Qeveria që ai udhëheqë ka ndarë 100 milionë euro për subvencionim të konsumatorëve që harxhojnë nën kufirin tarifor dhe bizneset.
Kosova gjatë fundit të vitit 2021 u përball me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike. Atëkohë, u dhanë kritika në drejtim të Ekzekutivit për neglizhencë dhe paaftësi veprimi, meqë masat u ndërmorën tek në fundvit, derisa shumë vende nga rajoni shpallën emergjencë energjetike qysh në muajt e verës.
Kryeministri Kurti u është kundërvënë, duke thënë se “energjia nuk ruhet në frigorifer” dhe duke fajësuar qeveritë e kaluara për mosinvestim në kapacitete gjeneruese, shkaku që aktualisht prodhimi në Kosovë mbulon vetëm diçka më shumë se gjysmën e konsumit të energjisë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.