viNjë grup qytetarësh nga mëngjesi i ditës së hënë ka bllokuar rrugën që shpie nga kufiri i Vërmicës në drejtim të Kukësit, në shenjë pakënaqësie për masat antiCOVID, të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Banorë të Shqipërisë kanë kundërshtuar masën e vendosur nga ekzekutivi, sipas të cilit, personat që hyjnë në Kosovë duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit me 3 doza, ose dy doza dhe një test negativ PCR. Ata thanë se kjo është e padrejtë, duke kërkuar që kjo masë të lehtësohet sa më parë. Masat e reja që prekin shumë sektorë, përfshirë edhe hyrjet në Kosovë, kanë nisur zbatimin të shtunën.
“Të lejohet të ketë liri në lëvizjen e qytetarëve të Kukësit e Shqipërisë, dhe kërkoj nga Qeveria Kurti e Qeveria e Kosovës, që i marrin parasysh kërkesat tona dhe t’i heqin barrierat”, ka thënë njëri prej tyre.
Një tjetër protestues ka thënë se e ka shumë afër këtë pikëkalim dhe se shumicën e punëve i kryen në Kosovë.
“Ne jemi shqiptarë, shqiptarë e shqiptarë mos me na lanë me dalë në Kosovë, kemi shumë arsye, se e kam shtëpinë prej Dogane 300 metra qetu”, u shpreh ai.
Njërin nga shtetasit e Shqipërisë, autoritetet kosovare nuk e kanë lejuar të futet në Kosovë për shkak se nuk ishte i vaksinuar me 3 doza.
“Na kanë kthye, kërkojnë 3 vaksina. Kjo nuk është e drejtë, se me 3 vaksina, edhe koha nuk ka ardhur me ba të tretën”, tha ai.
Për këtë vendim të qeverisë, kanë reaguar edhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës e të Maqedonisë së Veriut, ku kanë kërkuar që kjo masë të shqyrtohet edhe njëherë, për shkak se po u shkakton probleme qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë.
E po ashtu, gjatë së hënës, kanë reaguar edhe drejtues të Parlamentit Studentor, të cilët kanë thënë se duhet të ketë lehtësime për studentët e Luginës së Preshevës, për shkak se sipas tyre, kjo masë po i dëmton ata.
“Studentët nuk kanë kohë të merren me probleme të tilla që ua vështirësojnë jetën, ata duhet që të gjithë energjitë dhe vëmendjen e tyre tani t'i drejtojnë në provimet e afatit të janarit. Së fundmi, ne të gjithë duhet të dimë pozitën e vështirë me të cilën përballen studentët e Luginës së Preshevës dhe trojeve të tjera, prandaj në vend se t'i ndihmojmë, ne po i bllokojmë ata edhe në shtetin e Kosovës”, thuhet tutje në reagimin e Parlamentit Studentor.
Në Komunën e Prizrenit, gjatë ditës ka qëndruar edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili edhe njëherë ka arsyetuar masat e marra. Aty ai ka biseduar rreth situatës me pandeminë, derisa pas takimit u mbajt edhe një konferencë për media.
“Ne nuk e detyrojmë në Kosovë që të ketë 3 vaksina, ata që i kanë 3 vaksina hyjnë kur të duan në Kosovë, nëse i lexoni me kujdes thuhet se nëse i ke 3 vaksina hyn lirisht, por ka edhe rregulla të tjera”, ka thënë Latifi.
E menjëherë pas deklarimit të ministrit, edhe në faqen zyrtare të MSh-së, u arsyetuan masat duke thënë se kjo masë nuk pritet të largohet njëherë dhe se nga këto janë të liruar shtetasit e Kosovës dhe se kjo ka qenë e domosdoshme, si shkak i rritjes së numrit të të infektuarve.
“Vendimi nuk kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull që është praktikuar edhe nga shtete të tjera”, shkruan në sqarimin e MSh-së.
Në mesin e masave antiCOVID, Qeveria e Kosovës vendosi kufizime më të ashpra, deri më 4 shkurt ku ndalohet qarkullimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në 5:00, e ndaloi veprimtarinë e gastronomëve nga ora 21:00.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.