Kryeministri Albin Kurti ka arsyetuar paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët shtëpiakë që kalojnë konsumin mbi 600 kilovatë e që përfshin rreth 200 mijë familje.
Në një konferencë për media Kurti ka thënë se dikush duhet të paguajë rrymën e importuar me çmime të larta, duke shtuar se subvencionimi i tarifave të energjisë nga Qeveria zbut situatën me krizën, por nuk e zgjidh atë.
“Janë tri mënyra sesi mund të bëhet financimi: rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo reduktimet e ashpra të energjisë. Ne e pamë sesa të dëmshme janë reduktimet e energjisë sepse një njërën anë e kemi të amortizuar rrjetin e distribucionit dhe shkaktohen shumë kollaj dëme të kushtueshme dhe gjithashtu prej makinerive të industrive deri te pajisjet shtëpiake krijojnë dëme të mëdha”, tha Kurti.
ZRRE-ja ka propozuar rritje të çmimeve elektrike për konsumatorët për 9 për qind dhe për vendosjen e blloktarifave.
Por, zotimi i Qeverisë për subvencionim me 75 milionë euro do të ndikojë që konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë dhe bizneset të mos preken nga rritja.
Kurti ka thënë se vetëm gjatë së martës është blerë energji në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro. Ndërkohë ka fajësuar qeveritë paraprake për mosveprim.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se tarifat e propozuara nga ZRRE-ja nuk vlejnë për bizneset.
Rizvanolli ka thënë se do të paraqesin propozimet e tyre për raportin konsultativ të ZRRE-së, duke mos dhënë detaje se çfarë do të kërkohet.
Të enjten me kërkesë të Grupit parlamentar të AAK-së do të mbahet debat parlamentar për paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës.
“Pse duhet një familje me pagu dyfish dhe me subvencioni një biznes. Vetëm pas ditë që thotë Kurti rryma është e shtrenjtë, ZRRE-ja merr vendim për shtrenjtim të rrymës. Kë po e mbron kjo qeveri, qytetarin apo korporatat. Ky është interes i përbashkët dhe rezoluta duhet të miratohet. Ne do t’i shtjerrim të gjithë mekanizmat, duke përfshirë edhe protestat për të kundërshtuar këtë rritje”, ka thënë shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
ZRRE-ja më herët kishte paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke thënë se vendimi do të aplikohej nga muaji shkurt.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.