Në ditën kur në Serbi u votua për ndryshimet kushtetuese, të dielën, liderët në Serbi dhe nga radhët e serbëve të Kosovës nuk e lanë pa e përmendur Kosovën dhe veprimet e institucioneve, prej një dite më parë.
Kuvendi i Kosovës, gjatë së shtunës e miratoi një rezolutë me të cilën e ndaloi mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në territorin e Kosovës.
Lidhur me këtë vendim, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas votimit në Beograd, ka thënë se kjo do të prodhojë pasoja të rënda.
“Do të ketë pasoja të gjera, por ata nuk duhet të dinë gjithçka e të dëgjojnë gjithçka. Sido që të jetë, ne jemi krah njerëzve tanë në Kosovë e Metohi dhe së bashku me njerëzit tanë do të marrim vendime për të ardhmen”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi tutje tha se sjellja e Kosovës nuk ishte befasuese dhe se Qeveria në krye me Kurtin po i maltreton serbët, sipas tij.
“Serbët nëpërmjet përfaqësuesit të Listës Serbe dje thanë atë që deshën, madje edhe sot treguan se vota e serbëve të Kosovës e Metohisë është ‘po’, ‘po’ për Serbinë e jo për Kurtin”, shtoi ai.
Paralajmërim për pasoja ka adresuar sot edhe ministri i Qeverisë Kurti për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq. Ai nga Mitrovica e Veriut tha se do ketë reciprocitet në rast se veprohet njëjtë edhe më 3 prill, për kur janë paralajmëruar zgjedhjet presidenciale në Serbi.
Për çfarë reciprociteti e pati fjalën, nuk shpjegoi.
“Serbët e Kosovës duan të drejta të barabarta për të gjithë dhe nuk do të lejoj që Prishtina t’i trajtojë si qytetarë të rendit të dytë dhe t’ua shkurtojë të drejtën e votës. Andaj, që tani porosisim se zgjedhjet serbe më 3 prill do të mbahen në të gjitha hapësirat e Kosovës. Ua tërheqim vërejtjen Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare se vendimi për ndalimin e referendumit do të prodhojë pasoja të paparashikueshme, të cilat në veri të Kosovës do të sjellin reciprocitet ndaj Prishtinës në të gjitha fushat, në të cilat Prishtina thyen dhe mohon të drejtat e njeriut ndaj serbëve”, tha Rakiq, që është edhe kryetar i Listës Serbe.
Qeveria e Kosovës ka përjashtuar hapjen në vend të qendrave të votimit për referendumin e Serbisë. Por, qytetarëve serbë u ka mundësuar votimin nëpërmjet Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë apo edhe me postë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.