Video

Kuvendi dështon ta shpallë gjendjen emergjente të energjisë

U kërkua seancë e jashtëzakonshme për shpalljen e gjendjes emergjente me energji, por Kuvendi dështoi që ta bëjë këtë në mungesë të kuorumit.

Vetëm 55 deputetë morën pjesë në votim të vendimit të Qeverisë, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe ata të Listës Serbe, që janë pjesë e koalicionit, e bojkotuan votimin.

Debati, që zgjati disa orë, u përcoll me akuza, ironi dhe përplasje mes pushtetit dhe opozitës se kush është fajtor për gjendjen energjetike në vend.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nuk po e di se si t’u përgjigjet akuzave.

“Kritikat e juaja janë shumë kontradiktore, nuk po di në cilën me u përgjigj dhe qysh njëri thotë se efektet e vendimeve që i keni marrë nuk po shihen në terren, tjetri thotë se po i legjitimoni ato që i keni marrë, njëri thotë ZRRE po e falimenton KEDS”, ka thwnw Rizvanolli.

Kjo nxiti reagim të liderit të PDK-së, deputetit Memli Krasniqi, i cili tha se ministrja nuk po e din ta bëjë as detyrën e saj.

“Realisht, ti edhe detyrën e ministres nuk po din si ta bësh, veç je ka provon, njëjtë sikur shumica e kësaj Qeverie. Nuk e keni idenë çka është detyra e përgjegjësia jote, s’je ka e kupton as thelbin e problemit, por je ka e provon. Por derisa ti po provon ta kryesh punën tënde, njerëzit janë në të ftohtë dhe janë në terr”, tha Krasniqi.

Edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pyetur Qeverinë pse nuk është kontraktuar energjia më herët.

“Kjo është më shumë se padituri. Është krizë e tij, e qeverisë së tij. Sepse jam i bindur se ai duhet ta dijë, e nëse nuk dinë si inxhinier ta kthej diplomën menjëherë në universitet, s’e rryma çmimi I rrymës kontraktohet, rezervohet”, pohoi Abdixhiku.

Kritikave nuk ka hezituar t’i përgjigjet ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se edhe më herët ka pasur reduktime.

Por, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri nuk ka pasur kohë të merret me krizën energjetike.

“Kryeministri Kurti nuk ka pasur mundësi t’i bëjë këto veprime, pasi që i njëjti siç thoshte dhe në fushatë më 13 tetor i kam lënë 700 punë anash pa i kryer për t’u dalë në ndihmë kandidatëve për kryetar për të marrë pak pushtet nëpër komuna e që në fakt nuk e mori në nivel lokal. Një kryeministër, i cili do të duhej të ishte i krejt Kosovës, e lë krejt Kosovën në terr, vetëm e vetëm që të fitojë ca vota më shumë”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj ka ironizuar me mbledhjet e ministres me Komitetin dhe kryeministrin.

“Të pakënaqur me përgjigjen po i drejtohen: Kryeministër nuk ka terr që të sfidon ty, sepse ti je yll që ndriçon botën e lëre më Kosovën”, tha Zemaj.

Ndërkohë, në orët e pasdites ka filluar debati parlamentar për situatën energjetike, i thirrur nga AAK-ja. Opozitarët përsëritën akuzat ndaj Qeverisë për dështim në menaxhim të krizës dhe thanë se kjo situatë duhet ta çojë në shtëpi.